Shfrytëzuan pandeminë për ta degraduar lumin

Prefekti i Lezhës tha se po planifikohej një ndërhyrje për të ndaluar shfrytëzuesit, ndërsa tha se në tre muajt e fundit abuzuesit në lumin Mat ishin shtuar, ndërsa policia kishte pasur detyra të tjera.

 

Prefekti i Lezhës Gjok Jaku ka pranuar të hënën se gjatë muajve të karantinës për shkak të epidemisë kompani të ndryshme kanë dëmtuar rëndë shtratin e Lumit Mat duke e shfrytëzuar pa kriter për inerte. Jaku i tha BIRN se kompanitë kishin shfrytëzuar mbylljen e njerëzve në shtëpi dhe u justifikua se policia nuk kishte ndërhyrë pasi kishte qenë e angazhuar me situatën e krijuar nga epidemia, raporton Reporter.al.

“Konstatimi i juaj është shumë i vërtetë, konstatim që dhe nga ana jonë është parë dhe vëzhguar përsonalisht nga unë. Duhet përmendur se situata e pandemisë ku organet e policisë kryesisht kanë qenë të angazhuara me ligj me funksione të shtuara për zbatimin e kushteve të emergjencës së jashtëzakonshme, ka bërë që ndoshta të dalë jashtë vëmendjes së tyre dhe ka pasur një numër të shtuar mjetesh dhe shfrytëzim pa kriter të lumit, sidomos gjatë tre muajve të fundit”, tha Jaku.

Më herët BIRN raportoi shqetësimin e banorëve të fshatrave buzë lumit se kishin humbur dhjetra hektarë tokë nga gërryerja, për shkak të dëmtimit të shtratit të lumit.

Javën që shkoi policia e Lezhës në bashkëpunim me Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit proceduan penalisht tre persona dhe vendosën 6 milionë lekë gjoba ndaj kompanive të inerteve për dëmtim të shtratit të lumit Mat duke marrë zhavorr në mënyrë të paligjshme, por banorët u ankua se ndërhyrja ishte e vonuar dhe se dëmet ishin të mëdha.

Në basenin e Lumit kanë leje shfrytëzimi rreth 30 subjekte, por numri i kompanive që marrin çdo ditë inerte është shumë herë më i lartë, pasi veprojnë në mënyre ilegale. Këto ndërhyrje kanë vënë në rrezik urat dhe po ashtu kanë dëmtuar argjinaturat duke rritur rrezikun e përmbytjeve.

Prefekti i Lezhës pranoi në një bisedë për BIRN se situata kishte dalë nga kontrolli.  “Dy javë më parë e kam parë situatën nga afër nga Rubiku e deri në grykëderdhjen e Lumit Mat në det. Në një sipërfaqe të vogël mes dy urave asaj të vjetër të Milotit dhe urës së superstradës deri afër burgut të Shënkollit ka qenë një situatë kaotike ku kishte një përqëndrim të jashtëzakonshme mjetesh, duke marrë inerte në shtratin e lumit nga të cilat një numër i madh i tyre punojnë në mënyre informale dhe pa asnjë lloj dokumentacioni”, tha Jaku.

Ai tha se në bashkëpunim me policinë dhe institucionet e tjera përgjegjëse, do të ndërhyhet për ndalimin e kësaj masakre që po i bëhet Lumit Mat, ndërsa tha se priste që aksioni të niste nga Rubiku. Jaku tha se duhej të ndalohej masakra, ndërsa shtoi se pas kësaj do të shiheshin mundësitë për të rikuperuar problemet e shkaktuara nga ndërhyrjet. “Më pas duhet të shohim se cilat janë efektet e kësaj ndërhyrje pa kriter, në mënyrë që të marrim masat tonë që mos të ndodhemi përballë ndonjë problemi që lidhet me cënimin e argjinatures së Lumit Mat”, shton Gjok Jaku.

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!