Shfaqja për vrasjen e arkitektit jepet sot reprizë në Teatrin Kombëtar

Shfaqja “Pesë stinët e armikut të popullit”, me regji të Blerta Neziraj jepet sot reprizë në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Shfaqja, me tekst të Jeton Neziraj rrëfen degradimin urban të Prishtinës nisur në fillim të administrimit ndërkombëtare dhe vrasjen e arkitektit që po përpiqej të stoponte ndërtimet pa leje.

E administruar nga UN-i, Prishtina e pasluftës po kërcënohej nga ndërtuesit e fuqishëm ilegalë të cilët, në kundërshtim me të gjitha rregullat urbanistike, po ndërtonin brutalisht në çdo cep të saj.

“Arkitekti e planifikuesi hapësinor Rexhep Luci po përpiqej të vinte kontroll urbanistik. Për kompanitë e ndërtimit e ato të prodhimit, për kastat e korruptuara politike, për mediet oportuniste, për komandantët e luftës, për zyrtarët e UN-it e për shumëkënd tjetër, ai ishte “armiku”. Rexhep Luci ishte kërcënuar me jetë disa herë dhe pastaj edhe ishte vrarë në hyrje të banesës së tij në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e qendrës Multimedia.

“Pesë stinët e armikut të popullit” është prodhim i Qendrës Multimedia në Prishtinës dhe në TKK jepet si shfaqje mysafire.

Në shfaqje luajnë aktorët: Armend Smajli, Verona Koxha, Afrim Mucaj, Shpetim Selmani, Egzona Ademi dhe Kushtrim Qerimi. Muzika: Arbër Salihu, Tomor Kuci dhe Drin Tashi.