Shfaqja ‘Pas luftës, kush jemi ne!?' që i dedikohet të zhdukurve dhe fëmijëve të vrarë gjatë luftës shfaqet në vigjilje të festës së nëntorit
Organizuar nga Shoqata “Yjet që nuk vdesin” në bashkëpunim me Kompaninë “NOA- dans teatër”, më 26.11.2024, në ora 20:00, në Sallën AMC në Mazgit të Obiliqit, do të jepet premiera e shfaqjes dans- teatër, “Pas luftës, kush jemi ne!?”.
Kjo shfaqje jepet në kuadër të festës së “28 Nëntorit”, në Prishtinë, Shkup e Tiranë.
Me idenë e producentit Nysret Pllana dhe koreografi të Robert Nuhës, shfaqja “Pas luftës, kush jemi ne!?”, i dedikohet të zhdukurve dhe fëmijëve të vrarë në luftën e fundit në Kosovë, 1998/99.
Shfaqja, sipas organizatorëve, sjellë një gërshetim të veçantë artistik të kërcimit, aktrimit dhe ritmeve muzikore që ndërlidhin dramatikisht rrëfimin për të mbijetuarit dhe të zhdukurve, të botës së përjetshme dhe realitetit të sotëm, duke na lënë të reflektojmë mbi rëndësinë e kujtesës individuale dhe kolektive.
Nysret Pllana, ideator dhe producent i shfaqjes, tha për KALLXO.com se qëllimi i kësaj shfaqje është rikujtimi dhe mos harrimi i krimeve që janë kryer gjatë luftës në Kosovë, në viti 1998/99, veçmas vrasjen e fëmijëve dhe civilëve si dhe dëbimit masiv të popullsisë civile.
“Me një fjalë qëllimi dhe porosia e këtij projekti artistik shumë të veçantë është që përmes kësaj shfaqje do të përshkruhet vrasja e fëmijëve dhe zhdukja shqiptarëve, në përgjithësi gjenocidi serb mbi shqiptarët e në veçanti mbi fëmijët”- tha ai.
Pllana tha se përmes shfaqjes “Pas luftës, kush jemi ne!?”, do të përçohet edhe një falënderim i veçantë për SHBA-në dhe NATO-n.
Kurse, përmes një postimi në Facebook, koreografi Robet Nuha, deklaroi se kjo shfaqje i dedikohet sakrificës, vuajtjeve dhe rezistencës së popullit tonë, me fokus te kategoria e të zhdukurve si dhe fëmijët e vrarë.
“Tendenca e shfaqjes dans teatër ‘Pas Luftës, Kush jemi ne!?’ është që nëpërmjet gjuhës së trupit, atë të fjalës, komponimit koreografik, qasjes bashkëkohore imazheve e të gjithë komponentëve të saj të arrijë në atë formë artistike që të ngjalli refleksion mbi atë se, kush jemi ne, pas luftës!?, a i vlerësojmë sa duhet vlerat e pakontestueshme te luftës tone për liri… e shumëçka tjetër”- ka deklaruar Nuha në Facebook.
Shfaqja “Pas luftës, kush jemi ne!?” do të jepet më 28 nëntor 2024, në ora 20:00 në Teatrin Kombëtar në Tiranë dhe më 30 nëntor 2024, në ora 20:00 në Teatrin shqiptar në Shkup – Maqedoninë e Veriut.