Shfaqja ‘Ofshamë’ jepet nesër në Teatrin e Gjilanit

Shfaqja “Ofshamë” me koncept dhe regji të Burim Baftiut dhe Erson Zymberit jepet nesër në ora 20:00 në Teatrin e Qytetit në Gjilan.

Shfaqja jepet në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut dhe është prodhim i ‘Action for Nonviolence and Peacebuilding’ – ANP, Gjilan.

Menaxhmenti i Teatrit të Gjilanit njofton se shfaqja është një zë, një thirrje a një reflektim i shoqërisë sonë mbi rrugën, vështirësitë dhe gjendjen e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe fatin e njerëzve të pagjetur.

“Nesër, 10 dhjetor, pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, në Teatrin e Gjilanit, me fillim nga ora 20:00 vjen një shfaqje ‘Ofshamë’. Një ankth bashkë me një ofshamë në fund. Një dashuri e humbur. Një e vërtetë dhe një dhimbje e madhe”, thuhet në njoftimin Teatrit të Gjilanit.