Shfaqja ‘Kur bien perdet’ jepet nesër në Lipjan

“Artpolis”, Qendra për Art dhe Komunitet, shfaq nesër në Lipjan shfaqjen për të rinj, “Kur bien perdet”.

Shfaqja jepet nga ora 12:00-13:00, në Qendrën Kulturore, “Tahir Sinani” në Lipjan.

“Artpolis” përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se prezantimi i kësaj shfaqje ka për qëllim adresimin e bullizmit, pasojat dhe rreziqet në shoqërinë tonë.

“Shfaqja ‘Kur bien perdet’ ka për qëllim adresimin e bullizmit, pasojat dhe rreziqet në shoqërinë tonë. Pas shfaqjes personazhet do të diskutojnë me publikun lidhur me temat të cilat adresohen në shfaqje, në këtë mënyrë duke e bërë edhe publikun pjesë të saj.”, thuhet në komunikatën e “Artpolis”.

Në shfaqje luajnë: Edmond Hajdini, Fatlum Bllaca, Fjolla Hoxha, Gerat Salihi dhe Lerdi Salihi.

Kjo shfaqje është realizuar në kuadër të projektit “Humanrightivism”, implementuar nga CDF dhe mbështetur nga Sida në bashkëpunim me Komunën e Lipjanit.