Shfaqja ‘Gratë e Trojës’ jepet sot në teatrin ‘Dodona’

Shfaqja “Gratë e Trojës” jepet sot, më 05.11.2024, në ora 19:30 në Teatrin e Qytetit të Prishtinës, “Dodona”.

Kjo shfaqje është realizuar nga “Artpolis” në bashkëpunim me teatri “Dodona”.

E bazuar në veprën e Euripidit, me dramaturgji dhe regji të Zana Hoxhës dhe Maja Mitiq dhe me tekst bashkëkohor nga Shpëtim Selmani, “Gratë e Trojës” sjell përmes qasjes feministe ndjeshmërinë dhe qëndresën e grave përballë terrorit të luftës, nga Greqia antike e deri në ditët e sotme, aty ku luftërat dhe konfliktet vazhdojnë.

“Shfaqja ‘Gratë e Trojës’, e bazuar në veprën e  Euripidit, kapërcen kohën dhe hapësirën, duke e kthyer luftën e lashtë të Trojës në një metaforë universale të ciklit të pafund të tragjedive njerëzore, një jehonë që vazhdon të përshkojë historinë e njerëzimit”- thuhet në njoftimin e “Artpolis”.

Ky produksion, sipas njoftimit, i zhvilluar gjatë një periudhe dyvjeçare, ndërthur talentin e 15 artistëve të teatrit nga Kosova dhe Serbia, duke rrënjosur motërzimin artistik dhe aktivist në përvojën e mbi 15-vjet shkëmbimesh dhe rrjetëzimesh të frytshme ndërmjet Artpolis dhe artisteve nga Serbia.

Kjo shfaqje inskenohet në gjuhën shqipe dhe serbe nga kasti i aktorëve: Maja Mitiq, Shpëtim Selmani, Semira Latifi, Branka Stojkoviq, Qëndresa Kajtazi, Labinot Raci dhe Aleksandar Stoimenovski, dhe shoqërohet me titra në anglisht.

“Gratë e Trojës” është zhvilluar dhe mbështetet nga Ambasada e Suedisë në Prishtinë në kuadër të projektit “Humanrightivism”, implementuar nga CDF, Bashkimi Evropian, UNFPA, MKRS dhe Ambasada e SHBA-së në Kosovë. Partnerë në këtë aktivitet të Artpolis janë Teatri Dodona dhe Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut (Serbi).

Shfaqja “Gratë e Trojës” jepet edhe të mërkurën, më 06.11.2024, në teatrin ‘Dodona”.