Pamje nga shfaqja “Gratë e Trojës”. Foto: KALLXO.com.
Shfaqja "Gratë e Trojës" dërgon mesazhet e paqes në Beograd
Qendra për Art dhe Komunitet, “Artpolis” ka bërë të ditur se më 22 dhe 23 nëntor 2024, duke filluar nga ora 20:00, në Qendrën për Dekontaminimin Kulturor (CZKD) në Beograd jepet shfaqja “Gratë e Trojës”.
E bazuar në veprën e Euripidit, kjo shfaqje “kapërcen kohën dhe hapësirën”, duke e kthyer luftën e lashtë të Trojës në “një metaforë universale të ciklit të pafund të tragjedive njerëzore- një jehonë që vazhdon të përshkojë historinë e njerëzimit”.
“Ky produksion, i zhvilluar gjatë një periudhe dyvjeçare, ndërthur talentin e 15 artistëve të teatrit nga Kosova dhe Serbia, duke rrënjosur motërzimin artistik dhe aktivist në përvojën e mbi 15 vjet shkëmbimesh dhe rrjetëzimesh të frytshme ndërmjet Artpolis dhe artisteve nga Serbia”- thuhet në njoftimin e “Artpolis”.
Kjo shfaqje, me dramaturgji dhe regji të Zana Hoxhës dhe Maja Mitiq, dhe me tekst bashkëkohor nga Shpëtim Selmani, sjell përmes qasjes feministe ndjeshmërinë dhe qëndresën e grave përballë terrorit të luftë nga Greqia antike e deri në ditët e sotme.
Kjo shfaqje inskenohet në gjuhën shqipe dhe serbe, ndërsa luajnë: Shpëtim Selmani, Maja Mitiq, Qendresa Kajtazi, Branka Stojkoviq, Semira Latifi, Labinot Raci, Aleksandar Stoimenovski.
Shfaqja “Gratë e Trojës” është dhënë premierë më 05.11.2024, në Teatrin “Dodona” në Prishtinë.