Shfaqja "GISHTI" transmetohet sot në formatin livestream

Sonte në teatrot e Kosovës, në ora 21:00, në kuadër të programit online për muajin maj, nëpërmjet formatit livestream në Facebook, transmetohet shfaqja “GISHTI”, prodhim i Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Ky prodhim është nga: Autore: Doruntina Basha, Regjia: Erson Zymberi, Luajnë: Irena Cahani & Teuta Krasniqi, Skenografia: Bekim Korça, Kostumografe: Samka Ferri. Ass. Regjie: Ernest Zymberi

Kjo shfaqje teatrale tregon historinë e dy grave të lidhura nyje si të vetme në shtëpi, të cilat; vuajnë, besojnë, shpresojnë dhe ëndërrojnë. Jo për një vjet, as dy e as tre, por për 10 vjet ato presin e vuajnë në të njejtën lojë, në të njëtën ditë.

“Një luftë për të vërtetën e dhimbjen. Një marrëdhënie shpesh e paragjykuar dhe krejtësisht e çuditshme mes tyre (njëra vjehërr dhe tjetra nuse) është e lidhur aq fort në nyje sa që merr kuptim vetëm përmes emëruesit të tyre të përbashkët – pritjes për djalin dhe burrin e zhdukur gjatë luftës në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Shfaqja “Gishti” ndërtohet aty ku vuajtja dhe ironia nisin në mëngjes, aty ku zihet e gatuhet një gjellë, e cila sa vjen e plotnohet me erëza e perime, e që në vend të shijes së mire, ajo i ngulfatë e i bën për të “vjellë” personazhet, aty ku derdhet vazhdimisht gjak i padukshëm. Nje tryezë e përgjysmuar. Një darkë, here e fundit e herë e para. Një refleksion mbi lojën e tyre dhe lojën tonë. Një moment i duhur i veprimit. Një dashuri shumë e madhe bashkë më një humbje shumë të madhe. Dy gra të forta. Shumë të forta.