Shfaqja e Ferizajt ‘Oh, oh Xhulia’ jepet sot në Facebook 

Drama “Oh, oh Xhulia”  me regji të Besim Ugzmajlit, prodhim i Teatrit “Adriana Abdullahu” të Ferizajt transmetohet sonte nga ora 21:00 në Facebook-un e këtij teatri. 

 Shfaqja transmetohet në formatin online / livestream njëkohësisht dhe në Facebook-un e teatrove tjera që janë pjesë e kalendarit online të teatrove të Kosovës, për muajin maj. 

 Shfaqja është një komedi, ku autori sjell subjektin hipotetik, si alternativë e Romeos dhe Xhulietës së Shekspirit. Në këtë rast ata, Romeo dhe Xhulieta, nuk kanë vdekur por janë të martuar dhe kanë një fëmijë.  

 Shfaqja tallet me “dashurinë ideale” të Romeos dhe Xhulietës, duke i ballafaquar me kompleksitetin e martesës dhe vështirësive të tjera të jetës. 

 Në shfaqje luajnë: Shpëtim Selmani; Vjosa Tasholli; Sherif Bega; Mevlan Saraçi; Edona Berisha; Milot Salihu