Adem Grabovci duke dhënë fjalën përfundimtare në rastin `Pronto` - 30.12.2019

Shfajësimi për ‘Pronto’, VV thotë se kjo është dëshmi se gjykatat janë të kapura

Sot, Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli aktgjykim lirues ndaj rastit të njohur si “Afera Pronto”.

Adem Grabovci, Besim Beqaj, Zenun Pajaziti dhe 8 të akuzuarit e tjerë u liruan nga akuzat e Prokurisë Speciale të Kosovës.

Vendimin e sotëm të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Lëvizja Vetëvendosje e ka quajtur skandaloz.

“Sot Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli një aktgjykimin lirues për rastin më flagrant e më të mediatizuar kriminal e korruptiv në Kosovën e pasluftës, të njohur si ”Afera Pronto”. Ky rast përfshinte elementë të rëndësishëm të partive në pushtet, si dhe zyrtarë me pozita të larta në ekzekutiv, ndërmarrje publike, e prokurori. Vendimi i sotëm është skandaloz. Dëshmi se gjykatat janë kapur nga ekzekutivi, dhe ekzekutivi është kapur nga një rrjet korruptiv i ngjashëm me mafian”, thuhet në reagimin e partisë së Albin Kurtit.

“Vendimi i sotëm i Gjykatës është goditje e drejtpërdrejtë ndaj nevojës së qytetarëve për drejtësi e për institucione ligjore të paanshme. Për më keq dhe si për ironi arsyetimi i Gjykatës ishte se nuk kishte prova të mjaftueshme çka çoi në lirimin e protagonistëve të “Aferës Pronto”, mirëpo vetëm bisedat telefonike të publikuara, emrat e atyre që flasin, dhe temat e bisedave, janë dëshmi të pakontestueshme e prova të qarta se krimi e klientela po qeveris, dhe janë aty përbrenda institucioneve të drejtësisë”, thuhet tutje në reagim.

Kjo parti tha se ka prioritet luftën ndaj korrupsionit dhe nepotizmit të cilën do ta vazhdojnë edhe gjatë qeverisjes që pritet t’i prij Albin Kurti.

“Aty ku padrejtësia shpallet publikisht, nevoja për ndryshim është më e madhe se kurrë. Aty ku krimi sundon i pashqetësuar, zemrat e viktimave të padrejtësisë vlojnë. Lirimi i këtyre personave është dëshmia më e lartë se institucionet tona janë të kapura dhe është nevojë urgjente që të çlirohen. Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka prioritet të saj luftën kundër kapjes së shtetit, gjë që do të zbatohet e do të jetë angazhim kryesor gjatë qeverisjes Kurti. Çlirimi i shtetit dhe institucioneve, dënimi i fajtorëve të pushtetshëm, do të sjellin në Kosovë drejtësi, zhvillim ekonomik, barazi e besim tek shteti e tek e ardhmja”, deklaron partia e cila i fitoi zgjedhjet e 6 tetorit.

“Raste të tilla shumë të rënda për vendin dhe shoqërinë po tregojnë ngutjen e kapësve të shtetit për t’i mbyllur çështjet me gjykatat para se të krijohen institucionet e reja. Por njëkohësisht këto raste gjykime skandaloze bëjnë edhe më e ngutshme konstituimin e qeverisë në mënyrë që shteti i së drejtës të fillojë së funksionuari dhe gjyqësori të çkapet, e jo të mbetët vetëm legjitimues i kriminelëve të cilët po vazhdon t’i certifikojë me vulën e pafajësisë si njerëzit më të ndershëm”, thuhet në fund të reagimit të Lëvizjes Vetëvendosje.

Gjykata e Prishtinës i ka liruar nga akuza të gjithë të akuzuarit në rastin e njohur si ‘Pronto’.

Gjykata e Prishtinës sot shpalli aktgjykimin me të cilin liroi Adem Grabovcin, Besim Beqajn, Zenun Pajazitin dhe 8 të akuzuarit e tjerë në rastin e shumëpërfolur “Pronto”: Ilhami Gashin, Xhavit Dakajn, Fatmir Shurdhajn, Sadat Gashin, Ismet Nezirajn, Rexhë Abazin, Nijazi Kryeziun dhe Arbenita Pajazitin.

Gjykata ka gjetur se nuk ka prova se të akuzuarit gjatë muajit tetor, nëntor e dhjetor të vitit 2011, kanë komunikuar me zyrtarë të lartë për caktimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve në pozitën e kryeshefave ekzekutivë në bordet e drejtorëve në ndërmarrjet publike ‘’Trainkos’’, ‘’Infrakos’’, ‘’Hidro-Drini’’, ‘’Radoniqi-Dukagjini’’. Sipas akgjykimit të shpallur sot, Gjykata ka konstatuar se nuk ka prova se të akuzuarit kanë kryer veprën penale – shkelja e statusit të barabartë të qytetarëve të Kosovës.

Pas këtij vendimi të Gjykatë, ka reaguar prokurorja e rastit, Drita Hajdari.

Prokurorja Speciale Drita Hajdari e cila ka ngritur aktakuzën ndaj 11 të përfshirëve në rastin ‘Pronto’ është shprehur e zhgënjyer me vendimin e sotëm të Gjykatës.

“Jam tepër e zhgënjyer me vendimin lirues. Kryetari i trupit gjykues është dashtë së paku me dhënë arsyetim për një vendimin të tillë, sepse ligji e obligon që ta sqarojë shkurtimisht vendimin”, ka thënë prokurorja Hajdari.

Ajo ka shprehur shqetësimin se ky nuk është rasti i parë ku të fuqishmit e politikës i shmangen drejtësisë.

Grabovci, Beqaj, Pajaziti dhe të tjerët akuzoheshin se gjatë muajit tetor, nëntor e dhjetor të vitit 2011 kishin emëruar në mënyrë të kundërligjshme në pozita udhëheqëse njerëz të afërt të tyre ose me partinë e tyre në ndërmarrjet publike “Trainkos”, “Infrakos”, “Hidro-Drini”, “Radoniqi-Dukagjini”, etj.

Pasi Prokuroria kishte ngritur aktakuzën për përgjimet e rastit “Pronto”, gjykimi  kishte filluar me 1 tetor 2018, ndërsa me 15 nëntor Grabovci, Beqaj, Pajaziti e 8 të akuzuarit e tjerë ishin deklaruar të pafajshëm.

Gjykimi në rastin e njohur si “Pronto” përfundoi me 12 seanca gjyqësore, pas 455 ditësh, ose 1 viti e 2 muaj e 29 ditë, pas ngritjes së aktakuzës.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi lidhur me këtë rast.