Foto: Facebook

Shëtitjet e Albin Kurtit gjatë heshtjes zgjedhore

Të shtunën dhe të dielën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është parë aktiv me vizitat te bashkëpartiakët në Podujevë e Prishtinë.

Ndonëse në heshtje zgjedhore, Kurti të shtunën ka vizituar Podujevën dhe të dielën, ditën e votimeve, është parë në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë. Të shtunën në mbrëmje mediat vendore kane raportuar se Kurti ka vizituar edhe selinë e LVV-së në Gjakovë, duke e takuar kandidaten për kryetare nga kjo parti, Mimoza Kusari-Lila.

Të shtunën, për vizitën e Kurtit në Podujevë tregoi kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, për kryetar të kësaj komune, Shpejtim Bulliqi.

“Ecje përgjatë sheshit të qytetit me kryeministrin Kurti, ku edhe u ndalëm për një kafe rasti”, shkroi ai në përshkrimin e disa fotografive që ka shpërndarë në Facebook. Ndërkaq sot deputeti i LVV-së Mefail Bajqinovci bëri të ditur se Kurti gjendej në “Kodrën e Trimave” në kryeqytet.

“Çaj ‘rusi’ tek ‘Alushi’ me Kryeministrin Albin Kurti në Kodrën e Trimave”, ka shkruar ai në Facebook.

Foto: Facebook
Foto: Facebook

Sot po mbahet rrethi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë të 21 komunave të Kosovës.

Nga 38 komuna të Kosovës, 21 prej tyre kanë shkuar në balotazh pasi në zgjedhjet e datës 17 tetor kandidatët nuk kishin arritur të marrin mbi 50% të votave, që do u siguronte fitore pa rund të dytë.