
Sherri i tarifave të Trumpit, kryeministrit Trudeau i kërkohet dorëheqja
Qeveria e kryeministrit kanadez, Justin Trudeau është zhytur në mospajtime të reja pas dorëheqjes së papritur të ministres së Financave, Chrystia Freeland.
Në mbrëmjen e së hënës – sipas kohës lokale – një ministër i ri i Financave u vu në detyrë, por Trudeau po përballej me thirrjet e anëtarëve të Partisë së tij Liberale për të ofruar dorëheqjen – ka raportuar, më 17.12.2024, BBC.
Pa iu referuar lajmit, Kryeministri u tha donatorëve të Partisë në një ngjarje në Otava: “Ka qenë pa dyshim një ditë plot ngjarje. Nuk ka qenë një ditë e lehtë.”
Në letrën e saj të ashpër të dorëheqjes – botuar në ditën kur ajo duhej të jepte një deklaratë për ekonominë – Freeland përmendi mosmarrëveshjet e saj të kahershme se si t’u kundërpërgjigjej tarifave të Donald Trumpit.
Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, i cili do të kthehet në janar në Presidencë, është zotuar të vendosë një taksë prej 25% për mallrat e importuara kanadeze – nëse kufiri i përbashkët nuk bëhet më i sigurt.
Ekonomistët thonë se tarifat mund të kenë një efekt shkatërrues në ekonominë e Kanadasë.
Në letrën e saj, Freeland akuzoi Trudeaun se kishte zgjedhur “mashtrime të kushtueshme politike”, kundrejt adresimit të vendimeve nga “nacionalizmi ekonomik agresiv” i Trumpit.
Vetë Trumpi më vonë iu përgjigj Freelandit, duke postuar se “sjellja e saj ishte kaq toksike dhe aspak për së mbari, për të arritur ujdi të cilat janë të mira për qytetarët aspak të lumtur të Kanadasë”.
Freeland bëri të ditur se vendimin e mori pasi Trudeau i tha javën e kaluar se më nuk donte që ajo të ishte këshilltarja kryesore për ekonomi.
Përgatiti: Rexhep Maloku/Kallxo.com