Shërohet pacienti nga Podujeva, dy fshatra dalin nga karantina

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Podujevës, Nexhmi Rudari, ka thënë se nga IKShPK janë informuar për shërimin e plotë të pacientit të dytë të infektuar me coronavirus.

Po ashtu ai njoftoi se është hequr masa e karantinës për fshatrat Dumnicë dhe Llaushë.

“Kam kënaqësinë të ndaj me ju lajmin e mirë se sot nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike u informuam për shërimin e plotë të pacientit të dytë të infektuar me COVID-19 nga Komuna e Podujevës, kurse familja ku kishim personat e infektuar do të vazhdojë të qëndrojë në vetizolim. Lajmi tjetër i mirë është se nga ky moment është hequr masa e karantinës për fshatrat Dumnicë dhe Llaushë”, ka shkruar Rudari në rrjetin social “Facebook”.

Ai ka apeluar banorët e këtyre fshatrave dhe të gjithë Komunës së Podujevës t’u përmbahen rekomandimeve të IKSHP-së dhe institucioneve të tjera, “që sa më lehtë dhe pa pasoja për shëndetin ta përballojnë këtë sfidë”.

Kjo komunë deri më tani ka të shënuar katër raste me COVID-19.