(Ilustrim) - Foto: Naser Sertolli/KALLXO.com

Shërbimi Spitalor publikon listën e kompanive që kanë vonuar furnizimin me barna

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka publikuar listën e kompanive farmaceutike të cilat kanë bërë vonesa në furnizim me barna dhe material shpenzues.

Sipas njoftimit të ShSKUK-së, janë shtatëmbëdhjetë kompani që kanë bërë vonesën e 17 produkteve.

ShSKUK ka njoftuar se këto kompani janë duke u gjobitur sipas Ligjit të Prokurimit Publik.

“Drejtoria e Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar e Kosovës, ka vendosur të bëj publike listën e kompanive farmaceutike të cilat kanë bërë vonesa në furnizim me barna dhe material shpenzues, përkundër kontratave të lidhura me ShSKUK” – thuhet në njoftimin e ShSKUK-së

Barnat me të cilat nuk është furnizuar janë: Atropine, Midazolam, Morfinë, Noradrenalinë, Mycophenolate natrium, Carboplatin, Gemcitabinë, Amiodarone, Oxytocin, Fluphenazine, Natrium chloride, Etomidate.

ShSKUK ka bërë publike edhe materilain shpenzues, i cili nuk ka arritur në këtë institucion ndonëse është porositur.

Shërbimi Spitalor gjithashtu ka publikuar listën me produktet që janë në mungesë, e për të cilat ka pasur procedura të hapura të prokurimit, por nuk ka pasur ofertues.

Kjo listë përmban 11 produkte: Bicalutamide, Pancuronium, Ergometrine, Paracetamol. Oloprost. Tableta Glyccril Trinitrate, sprej Glyccril Trinitrate, Prostaglandin E, calcium folinate, Fluoruracil, Azathioprine.