Shërbimi Sekret “i njoftuar” për postimet e Muskut për Harrisin e Bidenin
Shërbimi Sekret amerikan ka bërë të ditur se është “i njoftuar” për një postim në mediat sociale prej Elon Muskut ku ai thoshte se “askush as që po mundohet” ta vrasë presidentin Joe Biden, ose zëvendëspresidenten Kamala Harris, raporton BBC më 17.09.2027.
Musk e ka fshirë postimin dhe ka thënë se me të synonte të tallej.
Postimi i tij në X, dikur i njohur si “Twitter”, erdhi vetëm pak orë pas një tentim-vrasjeje ndaj ish-presidentit Donald Trump në fushën e tij të golfit të dielën e 15 shtatorit në Florida.
Miliarderi i teknologjisë është aleat i ngushtë i Trumpit, i cili është zotuar se Muskun do ta ketë në listë “për ta drejtuar një komision qeveritar efikasiteti” nëse i fiton zgjedhjet për një tjetër mandat presidencial amerikan.
Shumë përdorues të X-it i kanë kritikuar komentet e Muskut – që ishin shoqëruar me një emoji me një vetull të ngritur – me disa syresh që kanë thënë se postimi ishte një formë e nxitjes kundër presidentit dhe zëvendëspresidentes së Shteteve të Bashkuara.
Në një deklaratë të shkruar, Shtëpia e Bardhë e ka dënuar postimin, duke theksuar se “kjo retorikë është e papërgjegjshme”.
Në reagimin e administratës së Bidenit thuhet se askush nuk duhet të tallet me dhunën, duke shtuar se “nuk duhet të ketë vend për dhunë politike ose çfarëdo dhune në vendin tonë”.
Kur është kontaktuar nga BBC, Shërbimi Sekret vetëm ka njoftuar se është “i njoftuar” për postimin e Muskut.
“Si praktikë, ne nuk i komentojmë çështjet që përfshijnë inteligjencën mbrojtëse”, thuhet në deklaratë. “Megjithatë mund të themi se Shërbimi Sekret heton të gjitha kërcënimet të lidhura me të mbrojturit tanë”.
Pas fshirjes së postimit, Musku ka postuar se “një mësim që e kam nxjerrë është se vetëm pse i them diçka një grupi dhe ata qeshin, nuk do të thotë se është aq qesharake si një postim në X”.
“Shakatë dalin të jenë më pak argëtuese nëse njerëzit nuk e njohin kontekstin dhe mesazhi përçohet në tekstin e thjeshtë”, ka shtuar ai. Musku kishte shprehur mbështetje për aleatin e tij, Donald Trump, pas tentim-vrasjes së 13 korrikut në Butler në Pensilvani. Musk është i njohur për mesazhet e tij kritike ndaj Bidenin dhe rivales së Trumpit nga radhët e demokratëve, Kamala Harris, për garën presidenciale të 5 nëntorit.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com