Qeli burgu - Foto: REL/Shutterstock

Shërbimi Korrektues shpall tender 2.2 milionë euro për cigare për të burgosurit

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka hapur tender për furnizim me cigare për të burgosurit.

Vlera e parashikuar për këtë tender është 2.2 milionë euro.

Njoftimi për kontratë nga Shërbimi Korrektues është publikuar më 16 mars.

ShKK ka kërkuar 16 lloje të cigareve. Në total janë kërkuar 1,288,950 pako të cilat përmbajnë nga 20 cigare.

Më së shumti parashihet të porositen cigare “Ronson”, gjithsej 690 mijë. Ndërsa më së paku pritet të porositen cigare “Slims Careli” apo 450 pako.

Këto cigare do të shpërndahen nëpër burgje në disa prej qyteteve të Kosovës.

“Kjo sasi është e përafërt sepse në sasi ndikojnë shumë faktor si: numri i të burgosurve, sa para kanë të deponuara, a i deponojnë familjarët çdo muaj, etj”, thuhet te tabela e përshkrimit të çmimeve.

Tenderi me vlerë të parashikuar prej 2,250,000 euro është shpallur me procedurë të hapur dhe është kontratë kornizë me kohëzgjatje prej 36 muaj apo 3 vjet.

Kriter për dhënie të kontratës është çmimi më i ulët që ofrohet nga kompanitë që aplikojnë.

Cigaret shpërndahen nëpër kantina brenda burgjeve dhe më pas blihen nga të burgosurit përmes kartelave bankare.

Nëpër burgjet e Kosovës mbahen rreth 1400 persona.

Më poshtë keni tabelën me llojet e cigareve që do të porositen nga ShKK.

Pas publikimit të këtij artikulli, ShKK ka dalë me një sqarim në lidhje me të.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton opinionin publik se, në bazë të Rregullores Financiare  nr 09/2012 për Menaxhimin e Fondeve në mirëbesim – depozitat e të burgosurve, Shërbimi Korrektues i Kosovës vetëm menaxhon dhe shpallë procedurën e prokurimit për cigare të të burgosurve, ndërsa blerjet bëhen me paratë private  të të burgosurve përmes kartelave  të tyre bankare”, thuhet në sqarimin e ShKK-së.