Shërbimi Korrektues pajiset me dyshekë antizjarr, radiolidhje e pasqyra të sigurisë

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka marrë sot një donacion me pajisje në vlerë të 65 mijë dollarëve nga Byroja për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL).

Në këtë donacion përfshihen 350 dyshekë antizjarr, 50 radiolidhje, 1 stacion bazë të radiolidhjeve dhe 76 pasqyra të sigurisë.

“Me këto donacione INL po mbështetë fuqishëm reformën e zhvillimit të Shërbimit Korrektues, duke aspiruar në ndërtimin e një sistemi të avancuar, të besueshëm, efektiv dhe të vetëqëndrueshëm”, thuhet në njoftimin e SHKK-së.

Gjithashtu SHKK ka thënë se dhurimi i këtij donacioni ka për qëllim që ta mbështesë SHKK-në në rritjen e nivelit të sigurisë, përmirësimin e ambientit dhe kushteve të banimit për të burgosurit dhe të punës brenda SHKK-së.