Ilustrim

Shërbimi Korrektues ndalon vizitat për të burgosurit

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar familjarët e të burgosurve dhe të burgosurit se në kuadër të masave parandaluese rreth coronavirusit, nga sot, 12 mars 2020, deri me datë 27 mars 2020, ndërpriten të gjitha vizitat familjare nëpër të gjitha institucionet korrektuese dhe ato të paraburgimit.

Në komunikatën drejtuar mediave, SHKK ka marrë edhe disa masa të tjera përveq ndalimit të vizitave.

“Të burgosurve do t`iu mundësohen telefonata me të shpeshta me familjarë dhe komunikim virtual përmes Skype, i cili tashme është i instaluar nëpër disa qendra korrektuese dhe shumë shpejt nëpër të gjitha qendrat”, thuhet në njoftim.

Edhe lëvizjet e të burgosurve janë ndaluar, duke paralajmëruar kontrolle të vazhdueshme për të gjitha qendrat.

“Ndalohen transferet nëpër burgje  për  të burgosurit, reduktim të transportit në gjykata dhe prokurori, (vetëm në raste  shumë  emergjente), kontroll të vazhdueshme të stafit  nga Mjeket  të cilët  veç  janë në qendra korrektuese dhe ato të paraburgimit, Kontroll të vazhdueshme të të burgosurve, të cilët kanë ndonjë simptomë  infektive”, thuhet tutje në aty.

ShKK ka premtuar se do të ketë furnizim brenda burgjeve për të burgosurit  me material higjenik, siç janë: shampon, sapun dhe dezinfektues për duar; Furnizim me ujë të nxehtë 24 orë brenda burgjeve.

Ndërsa për ndërmarrjen e hapave të tjerë SHKK ka thënë që do të qëndroj në kontakt me organet kompetente.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës do të vazhdojë bashkërendimin institucional me institucionet relevante të Republikës së Kosovës dhe do të mbajë të informuar opinionin e gjerë rreth hapave në vazhdim”, thuhet aty.

Ndonëse në Kosovë nuk ka ndonjë rast të prekjes nga ky virus, Qeveria e Kosovës dje ka marrë një sërë masash parandaluese duke përfshirë edhe mbylljen e shkollave.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës: Mbyllen shkollat deri më 27 mars