Shërbimi Korrektues mbajti takimin për hartimin e draft ligjit të ShKK-së

Shërbimit Korrektues i Kosovës (ShKK) sot ka mbajtur takimin e parë të grupit punues për hartimin e draft-ligjit të ShKK-së, nismë kjo reformuese “Me qëllim sigurimin e një vizioni gjithëpërfshirës dhe të konsoliduar të sundimit të ligjit, e po ashtu ngritjen e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë, e veçanërisht në SHKK-në”.

“Me qëllim të përmbushjes së obligimeve të cilat dalin nga plani i punës së Qeverisë dhe plani indikativ i punës për vitin 2020-2021 për Hartimin e Draft Ligjit për Shërbimin Korrektues të Kosovës, në koordinim me Ministrinë e Drejtësisë ka organizuar takimin konsultativ në të cilin janë ftuar përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, Institucioneve Korrektuese të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Avokatit të Popullit, Shoqata e Grave të SHKK-së, Sindikata e SHKK-së, organizatat tjera vendore dhe ndërkombëtare si: KMDLNJ, Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, ICITAP, OSBE dhe EULEX”, thuhet në komunikatën e publikuar në rrjetin social “Facebook”.

Gjatë takimit, drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues, Nehat Thaçi ka njoftuar të pranishmit lidhur me sfidat me të cilat është ballafaquar Shërbimi Korrektues i Kosovës, si dhe nevojat për hartimin e Ligjit për Shërbimin Korrektues të Kosovës.

Po ashtu, thuhet se në fund të takimit drejtori Thaçi caktoi edhe grupet punuese për hartimin e Draft Ligjit për Shërbimin Korrektues, me ç ‘rast u dakorduan lidhur me hapat e mëtutjeshëm rreth hartimit të Ligjit.