Shërbimi Korrektues i Kosovës pranon donacion nga EULEX

Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) ka marrë si donacion nga EULEX: 1 makinë, 1 gjenerator, 293 kompjuterë e laptopë, si dhe pajisje të tjera teknologjike.

SHKK, përmes një komunikate, u shpreh se ky është donacioni më i madh i pranuar deri më tani nga EULEX.

“Sot, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka pranuar donacionin e radhës nga EULEX. Donacioni, i konsideruar si më i madhi deri më tani për SHKK-në, përfshin pajisje moderne – duke përfshirë: 1 veturë, 1 gjenerator, 293 kompjuterë dhe laptopë, si dhe pajisje të tjera teknologjike, si: skanerë, printerë, telefona, radio-lidhje dhe inventarë për zyrë.” – thuhet në njoftim.

Në ceremoninë zyrtare të organizuar për këtë rast, drejtori i Përgjithshëm i SHKK-së, Ismail Dibrani, së bashku me Udhëheqësin e Shtyllës së Monitorimit të EULEX-it, Giovanni Galzignato dhe shefen e Njësisë Korrektuese të EULEX-it, Anu Melkko nënshkruanë Marrëveshjen për Pranim-dorëzimin e këtij donacioni.

Sipas komunikatës së SHKK-së, Dibrani shprehu falënderime ndaj EULEX-it, për këtë mbështetje – duke theksuar se donacioni do të ndihmojë në përmirësimin e kushteve të punës dhe modernizimin e pajisjeve teknike.

“Kjo ndihmë do të kontribuojë në avancimin e standardeve dhe efikasitetit të institucioneve tona korrektuese.” – tha ai.

Nga ana tjetër, Galzignato e Melkko vlerësuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional, duke theksuar se ky donacion “është një pasqyrë e angazhimit të EULEX-it, për të mbështetur Shërbimin Korrektues të Kosovës në përmbushjen e standardeve ndërkombëtare”.

Sipas Shërbimit Korrektues, ky moment shënon një hap të madh drejt modernizimit dhe forcimit të kapaciteteve të SHKK-së.