Shërbimi i urgjencës në Gjilan bëhet me dy autoambulanca

 

Komuna e Gjilanit i ka dorëzuar sot qendrës kryesore të mjekësisë familjare dy autoambulanca të reja, të cilat janë investim krejtësisht i komunës në shumën prej mbi 100 mijë euro.

“Jemi sot këtu për t`i dorëzuar dy autoambulanca në Gjilan dhe është investim 100 përqind i komunës së Gjilanit”, tha nënkryetari i komunës, Arbër Ismajli, pas dorëzimit zyrtar të këtyre dy autoambulancave.

“Krahas kësaj ne po realizojmë projekte të renovimit të qendrave të mjekësisë familjare, sikurse edhe projekte tjera që janë investim qind-përqind i komunës. Uroj që shërbimi i urgjencës dhe tërë shërbimi parësor shëndetësor të ketë kushte më të mira”, tha drejtori i shëndetësisë në Gjilan, Salami Xhemajli.

Drejtori i QKMF, Fejzulla Berisha, ka thënë se përmes këtyre dy ambulancave, qytetarët do të marrin shërbime më të shpejta, më të mira në kohë rekorde.

“Ky është investimi i parë që bëhet nga komuna në blerje të autoambulancave”, tha Berisha.