Flamuj të Ukrainës, Foto: Presidenca e Ukrainës, ueb-faqja zyrtare

Shërbimet ukrainase bastisin një manastir pas dyshimeve për lidhje me Rusinë

Shërbimi ukrainas i Sigurisë ka bastisur një manastir historik në Kiev, në kuadër të një operacioni që besohet se ka pasur synim t’ua pamundësojë agjentëve rusë përdorimin e këtij objekti për sabotazh apo akte tjera.

Manastiri ortodoks Pechersk Lavra daton nga shekulli i 11-të dhe tani kontrollohet nga Kisha Ortodokse e Ukrainës.

Kisha Ortodokse ukrainase është ndarë nga patriarkana e Moskës pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në fund të muajit shkurt.

Kremlini ka thënë se bastisjet përbëjnë një tjetër sulm të Kievit ndaj Kishës Ortodokse të Rusisë.

Ky manastir është pjesë e Trashëgimisë Botërore të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO).

Ai ka qenë vetëm një prej objekteve të tilla që është bastisur, pasi autoritetet kanë marrë ankesa se kleri ka madhëruar Rusinë dhe ka pasur dyshime që mund të ketë krijuar ndonjë lidhje me Kremlinin.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov e ka akuzuar Ukrainën se është “në luftë” me Kishën Ortodokse tash e një kohë.

Patriarku Kirill e ka konsideruar vendimin e autoriteteve ukrainase si “akt të frikësimit të besimtarëve”.

Si udhëheqës i Kishës Ortodokse Ruse, patriarku shihet si aleat i presidentit rus, Vladimir Putin, pasi ai i ka dhënë mbështetje të plotë luftë në Ukrainë./REL