Shënohet me aktivitete Dita e Tokës në Kosovë

Me rastin e Ditës së Tokës kanë filluar aktivitete për shënimin e kësaj date e cila ka për qëllim rritjen e përgjegjësisë ndaj planetit Tokë.

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në bashkëpunim me ministrinë e Arsimit dhe atë të Kulturës, Rinisë dhe Sportit kanë filluar aktivitetin në shkollën “Hasan Prishtina” në Prishtinë.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka kërkuar më shumë kujdes nga nxënësit për ruajtjen e ambientit ku jetojnë dhë kërkoi nga mësimdhënësit që të vazhdojnë me aktivitete që kanë qëllim ngritjen e vetëdijes.

“Është kënaqësi që sot nga këtu po përcjell një mesazh për rëndësinë e ruajtjes së tokës. E di që fëmijët janë ata që kujdesen më së shumti për tokën”, tha Nagavci.

Nagavci tha se viti i kaluar ka kthyer vëmendjen se sa e rëndësishme është ta kemi shëndetit ta ruajmë ambientin duke mbjellur pemë.

Rineta Jashari, shefe e kabinetit të ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu, tha se çdo dite duhet që të punohet në ruajtjen e tokës e jo veç në ditë si 22 prilli kur shënohet Dita Ndërkombëtare e Tokës.

“Dita e Tokës është çdo ditë. Ne duhet të kujdesemi çdo ditë për Tokën jo vetëm për ditën ndërkombëtare të saj, andaj duhet të veprojmë tani. Ta ripërtërijmë tokën tonë”, tha Jashari.

Ndërkaq Sofije Bonjaku, drejtoreshë e shkollës “Hasan Prishtina”, përveç që bëri thirrje për ruajtje të tokës pret që shumë shpejtë të marrë fund pandemia, për t’u rikthyer bukurive natyrore që ka vendi.

“Me 22 prill 2021 planeti Tokë po përballet me dy kriza me pandeminë dhe ndryshimet klimatike. Andaj dëshirojmë një të ardhme pa maska e dorëza e ilaqe. Të marr fund kjo e t’u rikthehemi bukurive tona natyrore”.

Përveç këtij aktiviteti, Drejtoria e Arsimit në Podujevë për nder të “Ditës së Tokës” ka organizuar aktivitetin për pastrimin nga mbeturinat në gjithë territorin e Komunës së Podujevës. 

Ndërsa, në kuadër të projektit “Pajtimi dhe Transformimi i Koniktit”, në qytetin e Mitrovicës, për nder të Ditës së Tokës janë mbjellur pemë.

Ndërkaq, organizata ‘Let’s Do It Kosova’ në kuadër të aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”, ka organizuar aksion pastrimi në Lagjen Arbëria në Prishtinë. Green Art Center (GAC) dhe Shkolla e Gjelbër, organizojnë aktivitet në Shkollën e Gjelbër në Prishtinë.

Në orën 14:00, OJQ “Projekti 5 cent”, për “Ditën e Tokës”, bën mbjelljen e 51 fidaneve në oborrin e ShFMU “Ibrahim Rugova”, në Obiliq. Mbjellja e fidaneve do të bëhet nga 51 pjestarët e FSK-së.