Shënohet 'Dita e Forcës' në Kosovë

Nën tingujt e Himnit të Kosovës nisi sot manifestimi i “Ditës së Forcës” ne kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.

Ushtruesja e detyrës së presidentes dhe kryeparlamentarja Vjosa Osmani, tha se Forca e Kosovës është e gatshme edhe me misione më të larta përpos deminimit e kontrollimit.

“Ne si shtet dhe si komb nuk kemi pasur qëllime pushtuese, por ka qene detyrë e jona t’i dalim në mbrojtje atdheut”, tha Osmani përmes një video-konference.

Forcat e Armatosura. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Forcat e Armatosura. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Osmani tha se anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet objektivi kryesor i shtetit.

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti ,tha se Forca e Sigurisë të Kosovës e shënon epitetin e institucionit më të besueshëm.

Hoti falënderoi për kontributin e Forcave në kontributin për menaxhimin e pandemisë.

“Forca e Kosovës është emblema më e mirë e shtetësisë së Kosovës” tha Hoti.

Foto:Urim Krasniqi/KALLXO.com

Sipas tij, Forca e Kosovës është moderne dhe është gatshme të jetë pjesë e misioneve të mëdha paqeruajtëse.

Ai tha se do ta vazhdoj misionin e themelueseve të shtetësisë të Kosovës duke e marrë si vizion që Kosova të bëhet pjesë e forcave euro-atlantike.

Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni tha se 27 nëntori është dita e kujtimit të një rrugë të gjatë.

“ Ne do të vazhdojmë të kemi në fokus politikat integruese dhe jo diskriminuese për të gjitha komunitetet që duan të i shërbejnë shtetit” tha Quni.

Me vendim të Qunit u ndanë medalje, dekorata e mirënjohje për anëtarët e Forcës dhe partnerët e saj.

Komandanti i FSK-së Rrahman Ramaj tha se përkundër sfidave gjatë 11 viteve kanë arritur të krijojnë një forcë moderne.

Ramaj tha se Forca ka treguar profesionalizëm si tash një vit gjatë tërmetit në Shqipëri e njësoj edhe tash në pandemi.

Në këtë manifestim Orkestra Frymore e FSK-së interpretoj veprën “Nëntori i Lavdishëm.”

Përpos kësaj vepre u interpretuan edhe shumë vepra tjera me motive kombëtare.