Shembja e një ure në Indi lë të vdekur mbi 130 njerëz

Të paktën 130 persona kanë vdekur pasi një urë e varur u shemb të dielën në shtetin perëndimor të Indisë, Gujarat, pasi autoritetet zbuluan se struktura ishte rihapur vetëm kohët e fundit pas riparimeve.

Ministri i Brendshëm i Gujaratit, Harsh Sanghavi tha se rreth 200 njerëz vlerësohet të kenë qenë në urën në qytetin Morbi kur ajo u shemb në lumin poshtë të dielën në mbrëmje. Një kabllo në njërën anë duket se është këputur, shtoi ai.

Shteti i Gujarat ka paraqitur një ankesë penale kundër agjencisë që po merrej me mirëmbajtjen e urës 230 metra të gjatë, e cila u ndërtua në shekullin e 19-të dhe u rihap javën e kaluar pas rinovimeve, tha ai.

Fotot nga vendi i ngjarjes të hënën treguan njerëz që mblidheshin në bregun e lumit Machchhu, pranë vendkalimit metalik të prishur, i cili varej në një kënd të mprehtë në ujë, ku punonjësit e shpëtimit në gomone me fryrje kërkonin të mbijetuarit.

Një komitet special hetimor prej pesë personash është krijuar për të hetuar incidentin, tha Sanghavi, në mes të një operacioni të vazhdueshëm kërkimi dhe shpëtimi nga qindra anëtarë personeli nga ekipet shtetërore dhe kombëtare të ndihmës ndaj fatkeqësive dhe ushtria indiane.

Duke folur në një konferencë shtypi në orët e para të së hënës, Sanghavi nuk tha se sa njerëz janë të zhdukur. Familjet e viktimave do të marrin kompensim nga Fondi Kombëtar i Ndihmës së Kryeministrit, sipas kryeministrit indian Narendra Modi. Modi shkroi në Twitter duke thënë se është “thellësisht i pikëlluar” nga tragjedia./CNN

Përgatiti: Nuhi Shala