AP

Shembet ura në Gjermani 18 minuta pas kalimit të tramvajit

Zyrtarët po hetojnë pse një urë betoni është rrëzuar pjesërisht në Gjermaninë lindore mëngjesin e hershëm të së mërkurës (11.09.2024), duke shkaktuar telashe në qarkullimin e trafikut në njërën prej artereve kryesore të Dresdenit, njëherësh duke ndërprerë sistemin e ngrohjes në qytetin e njohur edhe si “Firenca e Elbës” për shkak të arkitekturës së tij baroke, shkruan AP.

Askush nuk është lënduar kur një seksion i Urës Carola ra në Lumin e Elbës, ka bërë të ditur Departamenti i Zjarrfikësve i Dresdenit në uebfaqen e tij. Policia po e hetojnë shembjen e urës si aksident, ka bërë të ditur agjencia gjermane e lajmeve, DPA.

Ura është e kohës komuniste të ish-Gjermanisë Lindore, raporton DPA-ja, dhe zyrtarët kanë thënë në vendin e ngjarjes se korozioni i klorit mund të ketë ndikuar në shembjen e urës.

Mbyllja emergjente e krejt urës ka vështirësuar trafikun për sistemin kryesor të tramvajit në qytet, por edhe makinat, kalimtarët dhe çiklistët, të cilët e përdorin për të udhëtuar ndërmjet Qytetit të Vjetër dhe Qytetit të Ri të Dresdneit. Aksidenti ka ndikuar edhe trafikun e transportit të anijeve komerciale dhe ato turistike.

Ekuipazhet janë alarmuar menjëherë në orën tre të mëngjesit dhe ka shqetësime se edhe pjesa tjetër e urës mund të shembet në orët e ardhshme.

Tramvaji i fundit kaloi mbi urë tetëmbëdhjetë minuta para se ajo të shembej, raporton DPA. Seksioni që u shemb ishte menduar të zhvendosej vitin e ardhshëm, derisa pjesët e tjera u rihapën vetëm në mars pas disa muajsh konstruksioni.

Tubat që janë dëmtuar ishin pjesë e sistemit të ngrohjes qendrore të qytetit.

“Pos kësaj për shkak të shpërthimit të dy tubacioneve të mëdha të ngrohjes së zonës, kemi problem edhe me furnizimin me ujë të ngrohtë është bllokuar tërësisht në krejt kryeqytetin e shtetit federal të Dresdenit”, ka bërë të ditur zëdhënës i Departamentit të Zjarrfikësve, Michael Klahre.

Dresdeni ndodhet nja 160 kilometra në jug të Berlinit./AP

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com