Shembet kulmi në stacionin e trenit në Novi Sad, 8 të vdekur

Pullazi i hyrjes së stacionit të trenit në qytetin verior të Serbisë, Novi Sad është shembur të premten (01.11.2024), duke lënë së paku tetë të vdekur, ka raportuar agjencia amerikane e lajmeve, AP.

Ministri i Brendshëm, Ivica Daçiq, ka thënë se së paku katër persona të tjerë janë shtruar në spital me lëndime serioze, derisa ekipet e emergjencave kanë vënë kontake me dy persona të tjerë që ende janë të ngujuar nën gërmadhat e betonit.

Ambulancat dhe ekipet e emergjencave janë në vendin e ngjarjes në stacionin që ndodhet në qendër të qytetit, dhe buldozerët po i heqin rrënojat në kërkim të të mbijetuarve.

Kamerat e sigurisë kanë treguar njerëzit duke hyrë e dalë në objektin e stacionit të trenit dhe ulur në stola në një ditë me rreze dielli para se struktura e betontë të binte papritmas. Objekti ishte rinovuar së fundmi.

Daçiq ka thënë se operacioni i shpëtimit ishte “jashtëzakonisht i vështirë” dhe se do të duhet edhe disa orë para së të kryhet.

Kryeministri serb, Milosh Vuçeviq, ka thënë se “kjo është një e premte e zezë për ne, për krejt Serbinë”.

Vuçeviq ka thënë se pullazi ishte ndërtuar më 1964, dhe se një hetim ka nisur për të përcaktuar çfarë ndodhi dhe kush është përgjegjës për tragjedinë.

 

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com