Shefqet Avdija zgjidhet kryeshef i Postës

Pas dorëheqjes së Sejdi Hoxhës, Bordi i drejtorëve të ndërmarrjes publike “Posta e Kosovës” ka vendosur që në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të zgjidhet Shefqet Avdija.

“Pas një procesi të rregullt, transparent dhe objektiv, në përputhje të plotë me Ligjin për Ndërmarrjet Publike si dhe me kriteret e konkursit, kandidati më i suksesshëm në garën për pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv është Shefqet Avdija, i cili ka marrë pikët maksimale, në të gjitha fazat e intervistimit”, thuhet në njoftimin e Postës së Kosovës.

Më tej në njoftimin e Postës thuhet se Avdija është Doktor Shkence në fushën e qeverisjes dhe Administrimit Publik, ndërkaq në fushën e Menaxhimit të Sektorit Publik ka gradën Master.

Avdija për rreth shtatë vite ka qenë në pozitën e Zëvendës Kryeshefit Ekzekutiv në Postën e Kosovës. Në Postën e Kosovës, ai ka mbajtur edhe pozitën e Ushtrues Detyre i  Kryeshef Ekzekutiv.

“Në këtë pozitë ai ka shënuar të arritura të mëdha në udhëheqjen dhe menaxhimin e projekteve më sfiduese dhe më të ndjeshme në këtë ndërmarrje publike”, vazhdon njoftimi i Postës së Kosovës.

Sejdi Hoxha i cili ka qenë duke mbajtur pozitën e kryeshefit ekzekutiv të Postës së Kosovës, më 19 maj të këtij vitit ka ardhur në krye të PDK-së në Drenas.

Por, një vendim i marrë nga Agjencia Kundër Korrupsionit e kishte amnistuar atë.

AKK-ja duke u thirr vetëm në Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, ka konstatuar se zgjedhja e Sejdi Hoxhës në pozitën e kryetarit të PDK në Drenas derisa ai është duke ushtruar edhe funksionin e kryeshefit ekzekutiv në Postën e Kosovës, nuk përbën konflikt interesi.

Por, ka qenë e njëjta Agjenci që në vitin 2016 e kishte lëshuar një opinion në të cilin kishte konstatuar se zgjedhja e anëtarëve të bordeve me të kaluar politike ishte në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike.

Rreth dy muaj më vonë Hoxha kishte dhënë dorëheqje nga pozita e kryeshefit ekzekutiv të Postës së Kosovës.

Sejdi Hoxha kishte arsyetuar dorëheqjen e tij me angazhimet politike dhe akademike.

“Arsyet e dorëheqjes sime janë angazhimet politike dhe akademike”, ka deklaruar kryetari i degës së PDK-së në Drenas, Sejdi Hoxha.

Sejdi Hoxha ka qenë Kryeshef Ekzekutiv i Postës për 7 vjet me radhë.

 

Antikorrupsioni i Shaip Havollit ‘amniston’ Sejdi Hoxhën e PDK-së

.