Foto: Facebook, UNMIK

Shefja e UNMIK-ut: Presim që përpjekjet e Kosovës për sundim të ligjit të vihen re nga shtetet evropiane për liberalizimin e vizave

Shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, gjatë raportimit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ka thënë se presin që përpjekjet e Kosovës në sundim të ligjit të vihen re nga shtetet anëtare evropiane për qëndrimin e tyre për liberalizmin e vizave për Kosovën.

Ziadeh ka thënë se bashkësia ndërkombëtare duhet të marrë përgjegjësinë për të mbështetur një të ardhme më të mirë për Kosovën.

Ajo ka thënë se Qeveria e Kosovës mbetet e fokusuar në adresimin e çështjeve në sundimin e ligjit.

“Përpjekje që  presim të jenë vërejtur nga shtetet anëtare evropiane që peshojnë qëndrimet e tyre për regjimin e vizave dhe të udhëtimit për popullin e Kosovës. Bashkësia ndërkombëtare duhet të marrë pjesën e saj të përgjegjësisë për të mbështetur një të ardhme më të mirë për Kosovën. Qëllimi i UNMIK-ut është që të kontribuojë në efekte pozitive. UNMIK angazhohet për krijimin e mundësive për të promovuar atmosferë të të drejtave të njeriut etj”-ka thënë ajo.

Tutje ajo ka shtuar se rastet e qëndrimit politik kanë karakterizuar pjesën më të madhe të gjashtë muajve të fundit.

Sipas saj, janë vërejtur disa momente të tensionit në terren, të cilat rrezikuan të zmbrapsnin shumë nga rezultatet e arritura më parë përmes dialogut Kosovë-Serbi, të lehtësuar nga BE-ja.

“Rastet e qëndrimit politik kishin karakterizuar pjesën më të madhe të gjashtë muajve të fundit, duke përfshirë aspekte të tilla si udhërrëfyesi për energjinë, liria e lëvizjes së njerëzve, vlefshmëria e dokumenteve të identifikimit dhe Asociacioni/bashkësia e komunave me shumicë serbe”- ka thënë ajo.

Tutje ka shtuar se takimi në kuadër të dialogut, i cili u zhvillua në gusht, ka rezultuar me shtensionim të situatës.

“Ndërhyrjet diplomatike dhe një takim dialogu në gusht kishin rezultuar në “shtensionim të përkohshëm”, me gatishmëri të zgjatjes së afateve – ndërkohë që situata mbeti fragjile me zhvillimet në Kosovë të ndikuara në mënyrë të pashmangshme nga mjedisi aktual i sigurisë në Evropë”- ka thënë tutje ajo.