Shefja e UNMIK-ut bën thirrje urgjente për qetësi dhe përmbajtje – ‘Dialogu nuk ka alternativë’

Shefja e Misionit të Kombeve të Bashkuara, UNMIK, Caroline Ziadeh është shprehur e shqetësuar me zhvillimet në Kosovë si dhe përshkallëzimin e mundshëm të sigurisë.

“Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm dhe Shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh është thellësisht e shqetësuar nga zhvillimet e vazhdueshme dhe përshkallëzimi i mundshëm i situatës së sigurisë që përfundimisht do të ndikojë tek njerëzit në terren” – thuhet në komunikatë.

Në komunikatë potencohet se duke kujtuar zhvillimet e vjeshtës 2021 dhe korrikut 2022, PSSP Ziadeh bën thirrje për qetësi dhe përmbajtje, duke apeluar tek palët që të mbrojnë të arriturat e deritanishme.

“Ajo u bën thirrje të gjithë të përfshirëve që të ushtrojnë udhëheqje të përgjegjshme dhe të marrin çdo masë paraprake për të shmangur një përkeqësim që mund të ketë pasoja të padëshiruara”- theksohet më tej.

Ziadeh ka kërkuar kthimin në bisedime për të ruajtur të arriturat e dialogut të lehtësuar nga BE.

“Nuk ka alternativë ndaj dialogut për të kapërcyer mosmarrëveshjet dhe për të parandaluar keqkuptimet që mund të rrisin më tej tensionet” – ajo tha.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha se të shtunën, më 5 nëntor, do të propozojë largimin e serbëve nga institucionet në veri, përfshirë ato gjyqësore, të policisë dhe në institucione të tjera.

Ai po ashtu tha se serbët duhet të “forcojnë dhe ndërtojnë” institucionet e veta në veri, në bashkëpunim me Serbinë.

Kjo mbledhje, tha se do të mbahet pas “vendimit të paligjshëm dhe anti-serb” të Kosovës, për suspendimin nga puna të drejtorit të Policisë së Kosovës në Mitrovicë të Veriut, Nenad Gjuriq.

Ai po ashtu tha se serbët duhet të “forcojnë dhe ndërtojnë” institucionet e veta në veri, në bashkëpunim me Serbinë.

Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë, që ka mbështetjen e Beogradit – edhe në të kaluarën kishte kërcënuar me largim nga institucionet e Kosovës për shkak të vendimeve të ndërmarra nga autoritetet në Kosovë.

Që nga 1 nëntori, autoritetet në Kosovë kanë thënë se qytetarëve që kanë makina me targa ilegale (KM), do të marrin fleta qortuese.

Vendimi për riregjistrimin e makinave fillimisht ishte paraparë të hynte në fuqi më 1 gusht, por u shty për një muaj për shkak se serbët lokalë ngritën barrikada në shenjë pakënaqësie ndaj këtij vendimi.

Lista Serbe të shtunën vendos për largimin e serbëve nga institucionet në veri