Shefja e misionit të SHBA-së në OKB dhe presidentja Osmani: Koha t’i jepet fund misionit të UNMIK-ut në Kosovë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar shefen e Misionit të SHBA-ve, në New York, Linda Thomas-Greenfield, me të cilën janë pajtuar se është koha që t’i jepet fund Misionit të UNMIK-ut në Kosovë.

Kështu bëhet e ditur përmes një njoftimi të lëshuar nga presidenca e Kosovës.

“Të dy bashkëbisedueset janë pajtuar se është koha që t’i jepet fund Misionit të UNMIK-ut në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, një pjesë e takimit iu kushtua edhe dialogut me Serbinë.

“Presidentja Osmani theksoi se Kosova është plotësisht e përkushtuar ndaj procesit të dialogut. Duke cituar qëndrimin e Presidentit Biden, Presidentja Osmani ka potencuar se dialogu me Serbinë duhet të përqendrohet në njohjen e ndërsjellë”, thuhet tutje në njoftim.

Sipas Osmanit, Serbia po përpiqet ta bllokojë përparimin në dialog nëpërmjet obstruksionit, ndaj në këtë kontekst ka përmendur se pala serbe ka ngecur në zbatimin e udhërrëfyesit të energjisë, ka bllokuar marrëveshjen për personat e zhdukur me dhunë dhe po përpiqet të shkaktojë destabilizim përmes strukturave ilegale në veri të vendit.

Sipas njoftimi ato po ashtu kanë biseduar edhe për zhvillimet e përgjithshme në rajon e më gjerë, si dhe pasojat e agresionit rus në Ukrainë

“Osmani ka falënderuar ambasadoren Greenfield për mbështetjen dhe ka theksuar se partneriteti i Kosovës me SHBA-të është i rëndësisë strategjike”, thuhet tutje në njoftim.

Ndërsa, siç bëhet e ditur në njoftim, ambasadorja Thomas-Greenfield shprehu mirënjohje për angazhimin e Kosovës në Samitin për Demokraci dhe partneritetin e dëshmuar me qëndrimin e saj me rastin e luftës në Ukrainë dhe pritjes se refugjatëve afganë.

“Presidentja Osmani ka falënderuar për mbështetjen e palëkundur për Kosovën nga ana e SHBA-ve dhe presidentit Biden, të cilin e ka takuar dy ditë më parë”, thuhet në njoftim. /Telegrafi