Bashkim Ramosaj, Kryetar i Deçanit

Shefja e kabinetit të kryetarit të Deçanit autorizohet si zyrtare në sistem të pagesave

Dafina Cacaj, shefe e kabinetit të kryetarit të Komunës së Deçanit, është autorizuar si zyrtare certifikuese në sistemin e pagesave SIMFK, nga ana e Thesarit të Kosovës dhe kryetarit të Komunës.

Kryteari i Komunës, Bashkim Ramosaj, në një bisedë për KALLXO.com ka mohuar që Cacaj është duke ushtruar funksionin në këto dy pozita, duke thënë se e njëjta nuk është më shefe e kabinetit të tij.

Në anën tjetër Dafina Cacaj, ka pranuar që është shefe e kabinetit të kryetarit Ramosaj e që njëkohësisht është autorizuar të kryej detyrën si certifikuese në Sistemin e Pagesave.

Sipas kryetarit në këtë pozitë është emëruar një person tjetër.

“Dafina realisht ka kalu nga shefja e kabinetit në sektorin e buxhetit, nuk është shefe e kabinetit”, tha Ramosaj.

Ndërsa i pyetur se kush është emëruar si shef i kabinetit, ai tha se për momentin është duke kryer këtë detyrë ushtruesja e detyrës.

“Për momentin e kam një ushtruese të detyrës që është Milinda Cekaj”, tha Ramosaj.

Ai shtoi se nuk është zhvilluar ende procedura për zyrtare certifikuese.

Ndërsa Dafina Cacaj tha se është shefe e kabinetit dhe për këtë merr pagë, ndërsa si zyrtare certifikuese në sistemin e pagesave është e autorizuar dhe nuk merr pagë për këtë.

“Unë jam shefe e kabinetit të kryetarit me vendim të kryetarit për mandatin e tij, mirëpo si zyrtare certifikuese jam e autorizuar nga kryetari deri të kryhen procedurat e konkursit për arsye se prej 1 prill deri më 13 kemi qenë të bllokuar për arsye se zyrtari paraprak është pensionuar dhe nuk ka qenë dikush i certifikuar për të kryer këtë punë”, tha Cacaj.

Cacaj tha se Thesari i Kosovës e ka autorizuar dhe se këtë punë po e kryen pa kompensim, deri në emërim të një zyrtari tjetër, duke shtuar se pagë merr vetëm si zyrtare e kabinetit.

Ndërsa lidhur me deklarimin e kryetarit Ramosaj, ajo tha se ka mundësi që kryetari nuk i ka pas të qarta pyetjet që i janë parashtruar.

Në anën tjetër në faqen zyrtare të Komunës, Dafina Cacaj figuron si shefe e kabinetit të kryetarit.