Shefi i Zyrës së BE-së: Shqetësues numri i aksidenteve me fatalitet në vendet e punës në Kosovë

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, gjatë ditës së sotme bashkë me Jusuf Azemin nga Sindikata e Sektorit Privat në Kosovë, kanë vizituar punimet për ndërtimin e parkingut nëntokësor në Prishtinë.

Nga atje u bë thirrje për siguri më të madhe në punë dhe sensibilizim të kushteve për punëtorët e sektorit privat.

Szunyog tha se viteve të fundit në Kosovë ka pasur shumë raste të aksidenteve fatale në vendin e punës dhe sipas tij shifrat janë shqetësuese.

“Kosova viteve të fundit ka shënuar mjaft raste me fatalitet në vendin e punës dhe shifra është shqetësuese. Arsyet janë mossigurimi i vendit të punës dhe mosrespektimi i rregullave për siguri në punë. Zyra e BE-së është duke e ndihmuar Kosovën për përafrimin e ligjeve me ato të BE-së”, ka thënë Szunyog.

Ndërsa kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat në Kosovë, Jusuf Azemi, ka thënë se nuk është bërë sa duhet viteve të fundit në Kosovë sa i përket sigurisë në punë.

“Ndihem mirë me prezencën e BE-së këtu. Qëllimi i kësaj vizite është sensibilizimi dhe menaxhimi i sigurisë në punë. Siguria duhet të jetë në nivel më të lartë sesa që e kemi tash. Nuk është bërë sa duhet viteve të fundit dhe për këtë shkaktar janë pronarët e kompanive, institucionet apo edhe ne vetë si Sindikatë”, ka thënë Azemi.