Shefi i Zjarrfikësve jep detaje për zjarrin në lagjen "Mati 1"

Shefi i Brigadës së Zjarrfikësve, Latif Zeka, ka dhënë detaje për zjarrin që ka kapluar një garazh të një ndërtese në rrugën “Muharrem Fejza” në Prishtinë.

Zeka ka treguar se zjarrëfikësit janë duke punuar për të ndaluar tymin e krijuar nga zjarri.

Gjithashtu ai tha se përveç veturës e cila është djegur tërësisht, dëmtime nga zjarri kanë pësuar edhe disa kabllo të energjisë elektrike.

“Ka qenë tym jashtëzakonisht i madh. Ekipet e zjarrfikësve menjhëerë kanë dalë në vendin e ngjarjes. Një veturë është djegur në garazh, dy të tjera kanë shpëtuar. Paniku ka qenë jashtëzakonisht i madh, fatmirësisht nuk ka të lënduar. Ka dëme materiale, disa kabllo të rrymës. Tani për tani ekipet e zjarrfikësve janë duke punuar për të larguar tymin e krijuar nga zjarri nga garazhi i ndërtesës”, tha Zeka në një prononcim para mediave te vendi i ngjarjes.

KALLXO.com raportoi se një zjarr brenda një veture po dyshohet se ka shkaktuar zjarrin në garazh.

Në lidhje me këtë rast, KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Policinë e Kosovës.

“Rreth ores 14:00 e kemi pranuar informatën për një incident zjarri në një ndërtesë (garazhë) në rrugën “Muharrem Fejza” në Prishtinë. Zjarrfikësit dhe policia menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku dyshohet se fillimisht është djegur një veturë dhe më pas zjarri është përhapur në objekt”, ka thënë Florie Ahmeti.

Ajo ka shtuar se bazuar në të dhënat fillestare nuk është raportuar për persona të lënduar.

Sipas Ahmetit, zjarri është lokalizuar, ndërsa për detaje rreth rastit do të njoftojnë me kohë pasi që njësitet kompetente të përfundojnë ekzaminimet e vendit të ngjarjes.