Shefi i UNMIK-ut: Në zgjedhjet e fundit në Kosovë u shpreh dëshira e fortë për ndryshim

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë – UNMIK, ka lëshuar një komunikatë në lidhje me seancën e djeshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën.

Në këtë komunikatë janë përmendur disa nga deklarimet e shefit të misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë – UNMIK, Zahir Tanin.

Sipas UNMIK-ut, Tanin gjatë fjalimit të tij para Këshillit të Sigurimit, bëri komente pasi Kosova përfundoi suksesshëm zgjedhjet e hershme legjislative që u dalluan me pjesëmarrje të lartë të votuesve dhe fitore nga ana e partisë politike, Lëvizjes Vetëvendosje e më shumë se gjysmës së të gjitha votave të hedhura.

“Pritjet e shprehura ishin për ndryshim të reagimit të qeverisë ndaj shpresave dhe nevojave reale të votuesve të saj, për barazi më të madhe të mundësive, llogaridhënie, dhe sundim të ligjit. Kësisoj, pritjet anembanë Kosovës do të mbesin të larta siç ishin edhe rezultatet”, citohet të ketë thënë Tanin, para Këshillit.

UNMIK-tutje ka theksuar se rezultatet gjithashtu çuan te zgjedhja e Vjosa Osmanit si presidentja e dytë grua e Kosovës në mesin e një numri të madh të grave të zgjedhura në legjislaturën e Kuvendit.

“43 gra – që paraqesin 36 për qind të tërë Parlamentit – fituan mandate duke i siguruar Kosovës vend përkrah trupave tjerë zgjedhor për nga numri i lartë i përfaqësimit të grave. Përbërja e re parlamentare e Kosovës përfshin gra në dy prej tri pozitave të zëvendës kryeministrit me pesë gra në pozita ministrore”, tha ai.

Tanin ka shtuar se Qeveria e re e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, ballafaqohet me “mundësi të mëdha, krahas sfidave të mëdha”.

“Hapja e dyerve të së ardhmes kërkon transformim dhe ndryshim të prioriteteve që pasqyrohen si në fjalë ashtu edhe në vepra. Ulja e tensioneve po ashtu kërkon që partitë në pushtet dhe në opozitë ta dëshmojnë kapacitetin e tyre drejt interesave më të gjera”, është shprehur ai.

Përkitazi me dialogun në mes të Prishtinës dhe Beogradit, pas bisedimeve të tij me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe bisedës së sotme me presidentin serb Aleksandër Vuçiq, Tanin theksoi se të gjithë aktorët politikë janë të vetëdijshëm për rëndësinë qendrore të raporteve të tyre në progresin e rrugëtimit evropian.

“Ata theksuan se vetëm një dialog domethënës dhe i sinqertë, si dhe politika përparimtare, do të mundësojnë zhvillimin e këtyre raporteve dhe arritjes së interesave të përbashkët”, thuhet në komunikatë.

Lidhur me pandeminë e COVID-19, tha se Kosova mbetet nën presionin e pandërprerë të përhapjes së virusit COVID-19 duke apeluar tek shtetet anëtare që të rrisin përkrahjen ndaj Kosovës me vaksina.

KALLXO.com ka raportuar të martën edhe për qëndrimet e shprehura të Kosovës dhe Serbisë në këtë seancë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.