Përparim Rama, Foto: Facebook

Shefi i shtabit zgjedhor të LDK në Prishinë: Përparim Rama ka aplikuar me letërnjoftim të Kosovës

Shefi i Shtabit zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Prishtinë, Alban Zogaj në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se kandidati i kësaj partie për kryetar të kryeqytetit, Përparim Rama, ka aplikuar për certifikim në KQZ me letërnjoftim të Republikës së Kosovës.

Sipas tij, informacioni se Rama ka aplikuar me letërnjoftim të kohës së UNMIK-ut, është lëshim i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

“Zoti Rama ka aplikuar me letërnjoftim te Republikës së Kosovës. Valid deri në vitin 2031. Ka qenë lëshim i KQZ, i cili është përmirësuar”, thuhet në përgjigjen e tij.

Paraprakisht KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme për të kuptuar nëse Rama është pajisur me letërnjoftim të Kosovës, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk kanë kthyer përgjigje.

KALLXO.com sot ka raportuar se kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama ka aplikuar me letërnjoftim të UNMIK-ut dhe jo me atë të Republikës së Kosovës, për certifikim për zgjedhjet lokale në KQZ.

Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi ka thënë për KALLXO.com duke u mbështetur në planin operacional të miratuar nga KQZ-ja, më 17 gusht Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim ka filluar të njoftojë subjektet politike lidhur me përmirësimet apo korrigjimet që duhet të bëjnë.