Flamuri i Ukrainës - Foto: Faqja zyrtare e Presidencës ukrainase

Shefi i shtabit amerikan: Ukraina do të vazhdojë të marrë mbështetje domethënëse

COLLEVILLE-SUR-MER, Francë – Shtetet e Bashkuara dhe vendet aleate do të ofrojnë mbështetje domethënëse për Ukrainën, duke respektuar kështu trashëgiminë e ushtarëve që morën pjesë në operacionet e Ditës së Zbarkimit në Evropë (D-Day), fitorja e të cilëve ndaj nazistëve ishte përcaktuese për vendosjen e paqes dhe një rendi të ri botëror, tha të hënën Gjenerali Mark Milley, shefi i shtabit i ushtrisë amerikane.

Gjatë një interviste për agjensinë e lajmeve “Associated Press”, nga Bregu Omaha në Normandi, Gjenerali Milley tha se lufta e Rusisë në Ukrainë prish rregullat e vendosura nga vendet aleate pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Ai foli me rastin e 78-vjetorit të D-Day, ditës së zbarkimit të forcave aleate në brigjet e Francës, që mundësoi çlirimin nga forcat pushtuese të Gjermanisë naziste.

Një parim themelor i “rendit botëror të bazuar në rregulla” është se “një vend nuk mund të sulmojë një tjetër me forca ushtarake si një akt agresioni, me përjashtim të rastit kur është krejtësisht për vetëmbrojtje”, theksoi ai. “Por kjo nuk është çfarë ndodhi me Ukrainën. Ajo që ndodhi këtu është padyshim një akt i hapur agresioni”.

“Perceptohet gjerësisht se dëmton rregullat për të cilat dhanë jetën ata që kanë vdekur në Bregun Omaha e që këtu në varrezën Colleville-sur-Mer”, shtoi ai. “Ata humbën jetën për diçka. Ata vdiqën që të vendosej ky rend në mënyrë që ne të jetonim në paqe”, tha Gjenerali Milley, duke folur tek varreza amerikane përballë bregdetit në Coleville-sur-Mer në Francën veriperëndimore.

Për këtë arsye, “vendet e Evropës dhe ato të NATO-s, po e mbështesin Ukrainën, për t’u siguruar që rendi i vendosur të forcohet e mbështetet”, tha Gjenerali Milley.

Dhjetëra veteranë, tashmë të gjithë në të 90-tat, nga Shtetet e Bashkuara, Britania, Kanadaja dhe vende të tjera, morën pjesë të hënën në ceremoninë me rastin e D-Day.

Më 6 qershor 1944, forcat aleate zbarkuan me 7 mijë mjete detare në brigjet franceze, të cilave iu vu emërtimi i koduar Omaha, Utah, Juno, Sword dhe Gold. Në një ditë të vetme, 4414 ushtarë të forcave aleate humbën jetën, 2501 prej tyre amerikanë. Mbi 5 mijë u plagosën. Nga pala gjermane, disa mijëra u vranë ose u plagosën. Zbarkimi masiv ndihmoi për mposhtjen e Hitlerit dhe përfundimin e Luftës së Dytë Botërore.

I pyetur nëse Ukraina po merr mbështetje të mjaftueshme, Gjenerali Milley vuri në dukje se “po zhvillohet një betejë shumë shumë domethënëse në Donbas”, rajonin industrial në kufi me Rusinë. “Por, Kievi (kryeqyteti) u mbrojt dhe po mbrohet me sukses. Rusëve iu desh t’i zhvendosnin forcat e tyre drejt jugut në Donbas. Dhe do të shohim se çfarë rrjedhe do të marrin (luftimet atje)”.

“Mendoj se Shtetet e Bashkuara dhe vendet aleate po i ofrojnë një nivel domethënës mbështetjeje Ukrainës, që do të vazhdojë”, tha ai, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Gjenerali Milley foli me tone të forta për Ukrainën gjatë ceremonisë në varrezën amerikane, ku merrnin pjesë mbi 20 veteranë të Luftës së Dytë Botërore dhe disa mijëra spektatorë.

“Kievi mund të jetë 2 mijë kilometra larg prej këtu. Edhe ata po përjetojnë pikërisht sot të njëjtat tmerre që shtetasit francezë përjetuan gjatë Luftës së Dytë Botërore në duart e pushtuesve nazistë”, tha Gjenerali Milley gjatë fjalimit të tij. “Le të mos jenë të pranishmit këtu dëshmitarët e vetëm të kohës kur aleatët u mblodhën së bashku për të mposhtur tiraninë”.

Prindërit e Gjeneralit Milley shërbyen në ushtri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Xhaxhai i tij shërbente në marinën ushtarake pranë bregut të Normandisë në Ditën e Zbarkimit (D-Day) në kuadrin e Operacionit Overlord.

Ajo gjeneratë ushtarësh “luftuan dhe sakrifikuan për të gjithë ne… Dhe unë kam një lidhje tejet të veçantë me ta. Dhe kam shumë respekt për aktin e tyre. Mendoj se të gjithë ne sot, duhet të vazhdojmë trashëgiminë për të cilën ata luftuan dhe dhanë jetën”, tha Gjenerali Milley./VOA