Foto: Francois Walschaerts/AFP/Getty Images/CNN

Shefi i negociatave për BREXIT del pozitiv në coronavirus

Zyrtari i Bashkimit Evropian, Michel Barnier ka dalë pozitiv në coronavirus.

Këtë e ka konfirmuar vetë ai në Twitter.

Shefi i BE-së në negociatat për Brexit tha se ai është mirë dhe po ndjek të gjitha masat paraprake së bashku me ekipin e tij.

“Për të gjithë ata që janë prekur tashmë, dhe për të gjithë ata që janë aktualisht në izolim, ne do ta kapërcejmë këtë së bashku”, ka shkruar në Twitter.

Barnier gjithashtu ndau një video të vetes të xhiruar në shtëpinë e tij, në të cilën tha fjalë të mira për punonjësit shëndetësorë dhe tha se është duke menduar për të gjitha familjet e prekura nga coronavirusi.

Ai përmendi gjithashtu librin e tij mbi kërcënimet ekologjike, “Chacun Pour Tous” (Secili Për të Gjithë), i cili sipas tij ishte i rëndësishëm për krizën aktuale.

Në Kosovë, nga 13 marsi deri më sot janë shënuar 20 persona të prekur me coronavirus.

Ndërsa në botë ky numër ka arritur në 219,565 persona. Sipas të dhënave të fundit, deri më tani 84,006 persona janë shëruar dhe 8,941 kanë vdekur.

Vendi me më së shumti të prekur me coronavirus në botë është Kina, me 81,118 të prekur, prej tyre 70,506 janë shëruar dhe 3,249 kanë vdekur. Vendi i dytë me më së shumti të prekur është Italia, me 35,713 persona të prekur me coronavirus, 4,025 persona të shëruar dhe 2,978 të vdekur.