Foto: REL/NATO

Shefi i NATO-s u bën thirrje Kurtit e Vuçiqit të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe të bëjnë përparim

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe të bëjnë përparim në bisedimet në kuadër të dialogut.

Ai ka thënë se kjo është kyçe për të ardhme evropiane e euro-atlantike për rajonin.

“Bisedimet e lehtësuara nga BE-ja në Ohër janë të rëndësishme dhe pres nga Aleksandar Vuçiq e Albin Kurti të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe të bëjnë përparim. Është kyçe për stabilitet të qëndrueshëm dhe për të ardhme evropiane e euro-atlantike për rajonin. NATO_KFOR vazhdon të punojë për një Kosovë të qëndrueshme e paqësore” – ka thënë Stoltenberg në Twitter.

 

Në Ohër të Maqedonisë së Veriut sot mbahen takimet e radhës në kuadër dialogut Kosovë-Serbi.

Sot është paraparëtakimi i radhës mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Para takimit Kurti-Vuçiq që do të ndërmjetësohet nga përfaqësuesit e lartë të BE-së, pritet të ketë takime të ndara.

Duke filluar nga ora 10:30, sipas njoftimit të Bashkimit Evropian, shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak do të zhvillojnë takime të ndara me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Koha e takimit trilateral ende nuk dihet, ndërsa tema pritet të jetë aneksi për zbatimin e planit të Bashkimit Evropian i njohur si plani franko-gjerman.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar nga qyteti i Ohrit para fillimit të takimeve në kundër të dialogut Kosovë – Serbi. Kurti ka tha se është i vëmendshëm dhe do të bëjë më të mirën për Republikën e Kosovës.