Ilustrim - Foto: Ministria ukrainase e Mbrojtjes / Facebook
Shefi i NATO-s në Kiev, teksa Rumania i dërgon një sistem Patriot Ukrainës
Një sistem i mbrojtjes ajrore, Patriot, i dhuruar nga anëtarja e NATO-s, Rumania u dërgua në Ukrainë më 3 tetor, teksa sekretari i ri i Përgjithshëm i aleancës ushtarake perëndimore, Mark Rutte, zhvilloi një vizitë të paparalajmëruar në Kiev.
Këtë vizitë në kryeqendrën ukrainase, Rutte e zhvilloi dy ditë pasi mori udhëheqjen e NATO-s.
Rusia sulmoi me dronë dhe raketa Kievin dhe rajonet e tjera ukrainase mëngjesin e 3 tetorit, dhe teksa Rutte u takua me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, më vonë gjatë ditës, në Kiev u lëshuan dy herë sirenat paralajmëruese për sulme ajrore.
“E falënderoj çdo shtet që na ndihmon ne me mbrojtje ajrore. Një falënderim të veçantë për Rumaninë për sistemin Patriot. Së bashku mund të arrijmë efikasitet më të madh, ne mund t’i japim fund terrorit rus, duke rrëzuar bashkërisht dronët Shahed dhe raketat”, shkroi në X presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, teksa Ministria rumune e Mbrojtjes konfirmoi për Radion Evropa e Lirës e sistemi Patriot është dërguar në Ukrainë.
Pas takimit me Zelenskyn, Rutte u zotua se do të ndihmojë në rritjen e mbështetjes perëndimore për Ukrainën, e cila po përballet me pushtimin e nisur nga Rusia në shkurt të vitit 2022.
“Ukraina është më afër NATO-s se kurrë më parë”, tha ai.
Duke vënë në pah rrezikun ndaj anëtarëve të NATO-s, sikurse është Rumania, e cila gjendet në kufi me Ukrainën, dronët rusë sërish sulmuan portin ukrainas të Izmajilit, duke nxitur Bukureshtin që të aktivizonte avionët luftarakë F-16 për të monitoruar situatën në orët e vona të 2 tetorit.
“Mund të konfirmojmë se sistemi Patriot është dërguar në Ukrainë”, tha Constantin Spinu, zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes të Rumanisë, pasi Qeveria në Bukuresht muajin e kaluar miratoi një projektligj për të mundësuar dërgimin e këtij sistemi në Kiev.
Sipas projektligjit, Rumania i jep të drejtën Ukrainës që të përdorë këtë sistem kundërajror.
Kievi po u kërkon aleatëve perëndimorë që t’i dërgojnë më shumë armë moderne dhe sisteme të mbrojtjes ajrore për të mbrojtur qiellin mbi Ukrainë, por edhe po kërkon që t’i lejohet që të sulmojë caqet ushtarake thellë brenda Rusisë. Ukraina ka argumentuar se duke sulmuar thellë brenda Rusisë do të parandalonte Moskën që të sulmojë nga distanca të largëta./REL