Shefi i NATO-s: Bakhmuti mund të bie në pak ditë

Sulmet ruse goditën objektiva anembanë Ukrainës herët të enjten, duke përfshirë kryeqytetin Kiev, portin e Detit të Zi të Odesa-s dhe qytetin e dytë më të madh Kharkivin, duke e ndërprerë energjinë në disa zona, thanë zyrtarët rajonalë. Sulmet patën si shënjestër një hark të gjerë objektivash, duke përfshirë qytete që shtrihen nga Zhytomyr, Vynnytsia dhe Rivne në perëndim deri në Dnipro dhe Poltava në Ukrainën qendrore.

Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko ka deklaruar se shpërthime u raportuan në pjesën jugperëndimore të qytetit dhe shërbimet e shpëtimit ishin në gjendje gatishmërie. Dy persona kanë mbetur të plagosur. 

Grevat e kanë ndërprerë centralin bërthamor të Zaporizhzhia nga rrjeti i energjisë, thotë një deklaratë i bërë nga kompania Enerhoatom. “Sot është ndërprerë linja e fundit e komunikimit ndërmjet NPP-së së okupuar Zaporizhzhia dhe sistemit energjetik të Ukrainës. Karburanti për funksionim mbetet për 10 ditë”, thuhet në deklaratën e lartcekur. Në gusht të vitit të kaluar, zjarret e shkaktuara nga granatimet ndërprenë linjën e fundit të mbetur të energjisë në termocentralin bërthamor të Zaporizhzhia, duke e shkëputur përkohësisht atë nga rrjeti për herë të parë në gati 40 vjet funksionim. Më pas, u deshën dy javë që energjia t’i rikthehej uzinës.

Presidenti ukrainas Zelenskiy thotë se nuk do të takohet me Putinin derisa Rusia të largohet nga Ukraina. Presidenti i Ukrainës u shfaq në CNN të mërkurën mbrëma në një intervistë të regjistruar paraprakisht. Kur u pyet nga Wolf Blitzer se çfarë do të duhej për ta bërë që ai të takohej me Putinin, Zelenskiy tha: “Ne nuk kemi asnjë rrethanë për të folur me presidentin e Federatës Ruse sepse ai nuk e mban fjalën” dhe “Rusia duhet të largohet nga territori i vendit tonë”. Dhe pas kësaj, ne jemi të lumtur t’i bashkohemi mjeteve diplomatike. Për ta bërë këtë, ne mund të gjejmë çdo format me partnerët tanë menjëherë pas kësaj”.

Qyteti i Bakhmut, në lindje të Ukrainës, mund të bjerë në ditët e ardhshme, ka deklaruar sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. “Ajo që ne shohim është se Rusia po hedh më shumë trupa, më shumë forca dhe ajo që Rusisë i mungon në cilësi, ata përpiqen ta plotësojnë në sasi. Ata kanë pësuar humbje të mëdha, por në të njëjtën kohë, nuk mund të përjashtojmë faktin që Bakhmut të bjerë përfundimisht në ditët në vijim”, tha ai.

Themeluesi i grupit mercenar ëagner, Yevgeny Prigozhin, i cili ka udhëhequr sulmin rus në Bakhmut, ka thënë se forcat ruse tani e kontrollojnë plotësisht lindjen e qytetit. Pretendimet nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur. 

Rusia nuk ka gjasa të pushtojë dukshëm më shumë territor këtë vit, sipas drejtoreshës të inteligjencës kombëtare amerikane, Avril Haines. Ajo tha në një seancë dëgjimore në Senat se ushtria ndoshta nuk do të jetë në gjendje të vazhdojë në nivelin e saj aktual të luftimeve, edhe me futjen e mundshme nën kontroll të Bakhmutit.

Pentagoni është akuzuar për bllokimin e ndarjes së inteligjencës amerikane me Gjykatën Penale Ndërkombëtare (ICC) për krimet ruse të luftës në Ukrainë. Departamenti i mbrojtjes thuhet se e kundërshton fuqimisht përdorimin e ICC-së me seli në Hagë, si një mjet për t’i mbajtur forcat ruse përgjegjëse për krimet e luftës të përhapura me arsyetimin se precedenti mund të kthehet përfundimisht kundër ushtarëve amerikanë.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, e ka ftuar kryeparlamentarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, ta vizitojë Ukrainën, pasi dyshimet mbi mbështetjen për përpjekjet e Kievit për luftën po ziejnë në Kongres, veçanërisht në mesin e konservatorëve. Zelensky e propozoi vizitën në një intervistë me CNN.

Zelensky ka bërë thirrje gjithashtu për “sukses demokratik” në Gjeorgji, ku mijëra protestues janë mbledhur për të dytën ditë, kundër një projektligji të diskutueshëm të “agjentit të huaj”, që ta kujton legjislacionin rus të përdorur për t’i heshtur kritikët. “Nuk ka asnjë ukrainas që nuk do t’i dëshironte sukses Gjeorgjisë tonë mike. Suksese demokratike. Suksese evropiane”, tha ai në fjalimin e tij të mbrëmjes drejtuar kombit.

SHBA-të morën një urdhër për sekuestrimin e një avioni Boeing në pronësi të kompanisë ruse të naftës Rosneft që vlerësohet në mbi 25 milionë dollarë, tha Departamenti i Drejtësisë. Gjykata e Qarkut për Distriktin Lindor të Nju Jorkut e autorizoi sekuestrimin, bazuar në shkeljet e kontrolleve të eksportit dhe sanksioneve kundër Rusisë, tha Departamenti i Drejtësisë.

Në një vizitë në kryeqytetin ukrainas Kiev, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, u tha gazetarëve se është “tejet me rëndësi” që një marrëveshje e cila e lejon kalimin e sigurt për anijet që transportojnë drithë nga Ukraina përmes Detit të Zi të rinovohet, me Ukrainën që tradicionalisht është një nga eksportuesit më të mëdhenj në botë të grurit. Një zyrtar i lartë i tregtisë i OKB-së do të takohet me përfaqësuesit rusë për ta diskutuar zgjatjen e marrëveshjes.

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha të mërkurën se i kishte sugjeruar bllokut të BE-së të shpenzonte 1 miliard euro për prokurimin e përbashkët të municioneve për Ukrainën dhe për t’i rimbushur rezervat e veta.  

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se është ende e pasigurt të dihet se kush e kreu sulmin në tubacionet e gazit Nord Stream në shtator të vitit të kaluar dhe se hetimet kombëtare duhet të lejohen të përfundojnë.

Zyrtarët gjermanë njoftuan se kontrolluan një anije në janar, për të cilën ata besojnë se shumë janë përdorur për të transportuar eksplozivë të përdorur në sabotim. Gjermania ka rolin kryesor në hetim.

Inteligjenca e shqyrtuar nga zyrtarët amerikanë sugjeroi se një grup pro-ukrainas kreu sulmin në tubacionet Nord Stream në vitin 2022, ka raportuar New York Times. Nuk ka asnjë provë që Presidenti Volodymyr Zelenskiy, ose togerët e tij të lartë ishin të përfshirë, ose se autorët po vepronin nën udhëheqjen e ndonjë zyrtari të qeverisë ukrainase, thuhet në raport, duke cituar zyrtarë amerikanë./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala