Shefi i MSF: Neutraliteti 'në rrezik' në Gaza

Mjeku grek Christos Christou, president ndërkombëtar i Médecins Sans Frontières, flet për BIRN për presionet dhe rreziqet që përfshin puna e tyre në Gaza.

Sulmet izraelite ndaj spitaleve dhe personelit mjekësor në Gaza shkelin ligjin humanitar. Ata po testojnë neutralitetin e organizatave, të tilla si Médecins Sans Frontières, mirëpo “fryma” e neutralitetit duhet të mbetet, thotë për BIRN presidenti ndërkombëtar i organizatës së ndihmës, Christos Christou.

Sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës, më shumë se 14,500 palestinezë janë vrarë në shtatë javë të operacioneve ajrore dhe tokësore izraelite të nisura pas një sulmi ndaj Izraelit nga Hamasi më 7 tetor, në të cilin, sipas zyrtarëve izraelitë, 1,200 njerëz u vranë dhe 240 u morën peng. Një armëpushim ka qenë në fuqi që nga 24 nëntori.

Sipas MSF, dy nga mjekët e saj dhe një anëtar i tretë i stafit të spitalit Al Awd në Gaza kanë vdekur nga plagët e marra kur forcat izraelite bombarduan spitalin më 21 nëntor. Spitale të tjera gjithashtu janë sulmuar drejtpërdrejt.

Christou, mjek grek, thotë se shkelje të tilla të ligjit humanitar do të kenë pasoja diku tjetër. Sulmet ndaj spitaleve dhe personelit mjekësor janë “jashtëzakonisht shqetësuese”, thotë ai në një intervistë për BIRN.

“Kur ne i shohim këto shkelje të ligjit humanitar në këtë mënyrë, askush nuk do ta respektojë të njëjtin ligj në të ardhmen, askund”- paralajmëron Christou. Ngjarje të tilla e rëndojnë rëndë parimin e neutralitetit që shumë organizata ndihmash i përmbahen për ta kryer punën e tyre.

“Si organizatë, duhet në çdo mënyrë të solidarizohemi me këtë botë dhe këta pacientë”- thotë Christou nga Zvicra, ku edhe është i vendosur. “Për ta bërë këtë, duhet folur. Me këtë, neutraliteti është në rrezik. Por unë insistoj që kjo frymë neutraliteti duhet të jetë gjithmonë aty dhe për këtë arsye gjithmonë me shumë kujdes duhet të jemi zëri i këtyre njerëzve dhe ta bëjmë dhe ta themi ashtu siç është”.

“Dënim kolektiv”

Të pranishëm në Gaza për 20 vjet, MSF ka folur vazhdimisht për krizën humanitare që po shpaloset mes 2.3 milionë njerëzve në këtë enklavë, e cila ka qenë nën bllokadë tokësore, detare dhe ajrore nga Izraeli që kur Hamasi mori kontrollin në vitin 2007. Bllokada e ka kufizuar numrin dhe kategoritë e specifikuara të njerëzve dhe mallrave të lejuara brenda dhe jashtë nëpër vendkalimet e kontrolluara nga Izraeli.

Christou thotë se situata aktuale është zier me dekada të tëra. Por ai paralajmëroi gjithashtu për ngjarjet që po shpalosen në Bregun e pushtuar Perëndimor ku forcat izraelite vranë shtatë palestinezë, duke përfshirë dy të mitur dhe të paktën një person të armatosur, raportoi Reuters më 26 nëntor. Raportet palestineze thonë se forcat izraelite kishin rrethuar spitalet qeveritare dhe selinë e Gjysmëhënës së Kuqe.

“Ajo që po ndodh atje në ditët e fundit është shqetësuese”- thotë Christou.

Spitalet janë kanë qenë cak i sulmeve më parë në konflikte të tjera, por ajo që po ndodh në Gaza duket strategjike, thotë ai.

“Nuk është humbje kolaterale, por është pjesë e një strategjie, në kombinim me këtë rrethim, përjashtimi i popullatës nga ushqimi, uji, karburantet, pajisjet mjekësore, ky ndëshkim kolektiv që shohim të bëhet, është diçka që na shqetëson jo vetëm neve drejtpërdrejt sepse duhet të përballemi tani, por edhe në planin afatgjatë”.

“Çfarë nënkupton krejt kjo kur angazhohet nga një shtet, veçanërisht Izraeli, me të gjitha këto parime demokratike dhe me gjithë mbështetjen, të paktën kur e gjithë pjesa tjetër e Evropës, SHBA duket se e ka mbyllur njërin sy për atë se çfarë po ndodh këtu”.

Rreziqet lidhur me financimin

Sulmi i Hamasit dhe hakmarrja e Izraelit i kanë ndarë mendimet në dysh në mbarë botën, duke nxitur incidente të antisemitizmit dhe islamofobisë. Në Francë, disa shtëpi dhe biznese hebreje janë vandalizuar me mbishkrime që përshkruajnë ‘Yllin e Davidit’, ndërsa në SHBA tre studentë palestinezo-amerikanë u qëlluan dhe u plagosën në Vermont të shtunën. Një prej tyre mund të mos jetë në gjendje të ecë kurrë më.

Një atmosferë e tillë e polarizuar është veçanërisht e pasigurt për organizata siç është MSF, e cila mbështetet në donacionet private për 99 për qind të financimit të saj që kur njoftoi në vitin 2016 se nuk do të merrte më para nga Bashkimi Evropian ose shtetet e tij anëtare në kundërshtim me një marrëveshje midis bllokut të BE-së dhe Turqisë për ta shkurtuar fluksin e refugjatëve dhe emigrantëve që përpiqen të arrijnë në Evropë.

“Aq sa është e rëndësishme pavarësia dhe forcimi ynë ekonomik, ajo që është më e rëndësishme është që të jemi në gjendje të ngrihemi për të gjithë këta njerëz që kanë vuajtur me probleme të shumta”- thotë Christou.

“Ne këmbëngulim dhe [ne] do të fokusohemi në këtë koncept të njerëzimit, i cili është në rrezik më shumë se çdo gjë tjetër. Po, donacionet janë në rrezik; aktualisht ekziston një mjedis jashtëzakonisht i polarizuar dhe shumë toksik në të cilin po zhvillohen të gjitha këto biseda, jo vetëm në Gaza, por në mbarë botën”.

“Megjithatë”- thotë ai për BIRN, “forca kryesore shtytëse është të jesh pranë këtyre njerëzve”.

Ca lajme të mira

Një armëpushim që filloi më 28 nëntor ka bërë të mundur lirimin e disa pengjeve dhe të burgosurve palestinezë izraelitë, si dhe transportin e ushqimeve dhe furnizimeve ndihma.

MSF arriti të lehtësojë stafin e saj ndërkombëtar prej 22 anëtarësh me ekipe të reja që futen në Gaza nga Egjipti.

“Ndoshta do të kemi pak më shumë lajme të mira në ditët e ardhshme përmes kësaj mundësie të armëpushimit dhe më shumë ekipe humanitare dhe furnizime mjekësore dhe e gjithë ajo ndihmë humanitare që mungon në një sasi mjaft të konsiderueshme do të transferohet”- thotë Christou.

“Ajo që duam është të bëjmë gjithçka që është e mundur edhe në këto armëpushime të shkurtra… për ta garantuar sigurinë e personelit mjekësor, që të jetë në gjendje ta kryejë punën e tij dhe të jetë në gjendje të qaset në të gjitha këto struktura shëndetësore dhe t’i fuqizojë ato, ka mijëra, dhjetëra mijëra pacientë që kanë nevojë dhe kërkojnë ndihmë dhe është e një rëndësie të madhe që popullata të gjejë siguri dhe qasje në ushqim dhe ujë”.

Ky artikull fillimisht është publikuar në Balkan Insight

Përgatiti: Nuhi Shala