Ura mbi lumin Ibër - Foto: REL

Shefi i Misionit të OSBE-së dënon sulmin ndaj gazetarit në Mitrovicën Veriore

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, dhe përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Desir, kanë dënuar sulmin fizik ndaj gazetarit  të TV Puls në Mitrovicën Veriore.

Braathu ka thënë se është shumë shqetësues sulmi fizik ndaj gazetarëve, ndërsa raportimi i lirshëm është element i një shoqërie demokratike.

“ Një element kryesor i një shoqërie demokratike është aftësia e gazetarëve për të raportuar lirshëm për zhvillimet me interes për publikun. Është veçanërisht shqetësuese kur gazetarët sulmohen fizikisht”, ka theksuar ambasadori Braathu.

Sulmi ndaj gazetarit të TV Puls është dënuar nga ana e përfaqësuesit të OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Desir.

“Unë e dënoj me forcë këtë sulm fizik kundër drejtorit të TV Pulsit Nenad Milenkoviq. Dhuna ndaj gazetarëve është e papranueshme dhe nuk duhet të tolerohet”, tha Desir.

Përfaqësuesi theksoi se motivet e këtij sulmi duhet të hetohen dhe se ky është reagimi i tij i tretë për incidente të dhunës ndaj gazetarëve në Mitrovicën e Veriut në disa javë.

Ambasadori Braathu dhe përfaqësuesi Desir shfaqen shpresën e tyre për një hetim të shpejtë dhe të efektshëm policor që do të çonte në identifikimin dhe ndjekjen penale të atyre që janë përgjegjës. Në të njëjtën kohë, ata u bënë thirrje të gjithë aktorëve me ndikim në komunitetin lokal të dënojnë incidentin dhe të punojnë për të parandaluar kërcënimin e mëtejshëm të gazetarëve.