Shefi i kompanisë së sigurimit në klinikat e QKUK-së tregon sa paguhen punëtorët e tij

Drejtori i kompanisë ‘Security Code’, Esat Tahiri,  e cila e bën sigurimin e klinikave në ShSKUK ka folur në lidhje me punëtorët e tij dhe sa paguhen ata.

Tahiri ka thënë se është një patrullë e cila bën inspektimin e rojeve.

“Në atë rast arsyetimi i tyre  është se ka qenë pranim-dorëzimi i detyrës. Tek unë nuk është arsyetim ai, sepse në sigurim roja edhe shefi i ndërrimit, edhe nëse vonohet ndërrimi tjetër ai duhet me qëndru në detyrë. Punëtorët e kanë rrogën 302 euro brutto, për 180 orë punë. Domethënë 12 orë janë në punë, 36 orë janë pushim. Nëse është 12 orë në punë, 36 orë i ka pushim”, ka thënë Tahiri.

Sipas tij, edhe kur një punëtor shkon në pushim vjetor, është punëtori tjetër që e zëvendëson.

Tahiri ka bërë të ditur se ka rreth 270 punëtorë në kompaninë e tij dhe të gjithë, sipas tij, kanë kontrata të rregullta të punës.