Luan Dalipi dhe Albin Kurti

Shefi i kabinetit të Kurtit: Aleanca strategjike me ShBA është me rëndësi jetike

Shefi i kabinetit të kryeministrit Kurti, Luan Dalipi, ka thënë Qeveria e Kosovës do të bëjë çmos për të ruajtur dhe avancuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe botën demokratike.

Ky reagim ka ardhur pas deklaratave të senatorit amerikan Perdue për largimin e tarifës ose tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova, e mbështetur nga i biri i presidentit amerikan, Donald Trump Junior.

Dalipi ka thënë se tarifa do të hiqet në tërësinë e saj, sapo të merret konfirmimi nga Serbia se ajo do të ndalojë fushatën e saj të çnjohjes, si dhe të heqë barrierat e saj jotarifore për Kosovën.

Sipas tij, kjo do të krijojë një bazë të fortë për një dialog të prosperuar dhe marrëdhënie reciproke me Serbinë.

Gjithashtu ai ka thënë se “Presidenti në sistemin parlamentar nuk përfaqëson politikë të tij të jashtme, por është përfaqësues i politikës së jashtme të përcaktuar nga Qeveria”, pasi qe sipas tij, veprimet individuale në procesin e bisedimeve me Serbinë do të dëmtojnë dhe nënvlerësojnë punën e partnerëve ndërkombëtarë.

Ky është postimi i plotë i shefit të Kabinetit të Albin Kurtit, Luan Dalipi.

Aleanca jonë strategjike me Shtetet e Bashkuara dhe botën demokratike është me rëndësi jetike dhe Qeveria e Kosovës do të bëjë çmos për të ruajtur dhe avancuar marrëdhëniet tona.

Ne jemi shumë mirënjohës ndaj partnerëve tanë ndërkombëtarë për mbështetjen e tyre të vazhdueshme, përfshirë ambasadorin Grenell për vendosmërinë dhe rolin aktiv të tij në mundësimin e njohjes së ndërsjellë Kosovë-Serbi që do të sjellë paqe dhe prosperitet të qëndrueshëm për të dy vendet.

Ne do ta heqim tarifën në tërësinë e saj, sapo të marrim konfirmimin nga Serbia se ajo do të ndalojë fushatën e saj të çnjohjes, si dhe të heq barrierat e saj jo-tarifore për Kosovën. Kjo do të krijojë një bazë të fortë për një dialog të prosperuar dhe marrëdhënie reciproke me Serbinë.

Qeveria e Kosovës përfaqëson legjitimitetin e qytetarëve dhe politikës. Sistemi kushtetues dhe praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese konfirmojnë rolin e secilit akter ne politiken e jashtme. Presidenti në sistemin parlamentar nuk përfaqëson politikë të tij të jashtme, por është përfaqësues i politikës së jashtme të përcaktuar nga Qeveria.

Veprimet individuale dhe jokushtetuese në procesin e bisedimeve me Serbinë do të dëmtojnë dhe nënvlerësojnë punën dhe përpjekjet e mëdha të partnerëve tanë ndërkombëtarë, kryesisht SHBA, BE dhe Mbretëri e Bashkuar. Askush nuk duhet të mashtrojë miqtë tanë në bashkësinë ndërkombëtare. Veprimet e pakoordinuara dhe pa autorizime kushtetuese jo vetëm që prodhojnë pasoja negative, por edhe marrëveshje fiktive dhe të pazbatueshme, të cilat rezultojnë në dëmtimin e pozicionit ndërkombëtar dhe interesave të Republikës së Kosovës.

Kurti: Trupat amerikane nuk tërhiqen, taksa zëvendësohet me reciprocitet

Kurti: Nuk kemi dallime me LDK-në për tarifën ndaj Serbisë