Momenti kur Visar Syla pengon punën e gazetares se Kallxo.com, Florinda Kelmendi | Foto: KALLXO.com

Shefi i kabinetit të Erden Atiqit pengon punën e gazetares së KALLXO.com, tentoi t’ia bllokojë xhirimin e arrestimit të Aleksandar Arsenijeviq

Visar Syla, shefi i kabinetit të kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiqit ka penguar gazetaren e KALLXO.com, Florinda Kelmendi në kryerjen e detyrave të saj si gazetare, të mërkurën më 02.10.2024.

Gazetarja Florinda Kelmendi ishte duke raportuar nga Mitrovica e Veriut, kur Policia e Kosovës arrestoi politikanin serb, Aleksandar Arsenijeviq, i cili kishte fishkëllyer gjatë kohës sa Atiq po pinte kafe në një lokal në Mitrovicë të Veriut.

Derisa gazetarja Florinda Kelmendi po xhironte shoqërimin Aleksandar Arsenijeviqit, Visar Syla i afrohet afër dhe ia vendos dorën në telefonin e saj duke mos e lejuar dokumentimin e ngjarjes.

“Derisa unë po xhiroja arrestimin e Aleksandar Arsenijeviq, shefi i kabinetit të kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Visar Syla ka vendosur dorën në kamerën e telefonit tim dhe më ka thënë ‘mos xhironi!’. Unë i kam thanë që detyrë e kemi. Njëjtë ka penguar edhe punën e koleges gazetare nga Telegrafi.com” – tha gazetarja, Florinda Kelmendi.

Këtë rast KALLXO.com do ta raportojë edhe në organet e rendit.

Zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë-Veriu të Policisë së Kosovës, Veton Elshani konfirmoi për KALLXO.com, se politikani serb nga partia Demokracia serbe, Aleksandar Arsenijeviq dhe një qytetar tjetër janë shoqëruar në polici për prishje të rendit dhe qetësisë publike.

Kryetari Atiq kishte dalë për të vizituar aktivitetin e organizuar nga Ministria e Shëndetësisë për muajin e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, ku është vendosur një mamograf mobil.

Arsenijeviq ishte arrestuar edhe më 10.09.2024 për të njëjtën arsye, pasi që kishte fishkëlluar gjatë një vizite në veri të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.