Komisioni për Siguri dhe Mbrojtje, Fotografi:KALLXO.com

Shefi i IPK-së: Po hetohen policët që ushtruan dhunë ndaj qytetarëve për mosrespektimin masave ndaj pandemisë

Komisioni për Siguri dhe Mbrojtje sot ka thirrur në raportim para anëtarëve të komisionit Ushtruesin e Detyrës së Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj.

Në mesin e disa çështjeve u ngritën edhe rastet e qytetarëve në Ferizaj dhe në Prishtinë të konfrontuar me policinë për mosrespektimin e masave kundër përhapjes së COVID-19.

Hodaj tha se rastet e përdorimit të forcës nga zyrtarët policor ndaj qytetarëve në Prishtinë dhe Ferizaj janë duke u hetuar. Në lidhje me rastin e konfrontimit në Prishtinë, Hodaj tha se kanë marrë disa pamje dhe se janë duke hetuar nëse ka qenë i nevojshëm ose jo përdorimi i forcës.

“Të gjitha rastet që janë bërë publike janë trajtuar. Rastet në Ferizaj dhe Prishtinë janë hetuar. Rasti në Prishtinë ende është duke u hetuar, kemi marrë disa pamje dhe jemi duke punuar në atë se sa ka qenë e duhur apo e nevojshme përdorimi i forcës. Do të i vlerësojmë hap pas hapi si dhe çdo informacion që pranojmë do ta trajtojmë”, iu përgjigj Hodaj pyetjes së deputetes së PDK-së Ganimete Musliu në lidhje me këto raste.

Një rrahje mes dy policëve dhe dy qytetareve kishte ndodhur në muajin gusht në Ferizaj për mos mbajtjen e maskave.