
Faruk Mujka Foto: Facebook
Shefi i “Ibër-Lepencit” vazhdon komentet politike
Kryeshefi i Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër-Lepenc”, Faruk Mujka, ka komentuar thirrjen për mbledhje të jashtëzakonshme në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Jugut.
Mujka thotë se pika e rendit të ditës “Raporti financiar i vitit 2022” ligjërisht nuk duhet të votohet.
“Seancë e jashtëzakonshme të Martën për të diskutuar Raportin financiar të vitit 2022 që ligjërisht as nuk duhet të votohet ndërsa të Premten Seanca e rregullt. A ka logjikë? Jo! A ka implikime buxhetore? Po! Pse? E kam idenë por duhet ta thonë ata që e kanë thirr”- shkruan Mujka.
Mujka është shprehur se si pikë e rendit të ditës do të duhej të ishte “Falja e tatimit në pronë për vitin 2023 deri 100€ për qytetarët tonë”.
“Nëse është desht gjithsesi me thirr bile le të jetë pikë e hajrit: Falja e tatimit në pronë për vitin 2023 deri 100€ për qytetarët tonë. Bile le ta shohin hajrin mbledhjeve tona”- shprehet Mujka.
KALLXO.com në dhjetor të vitit 2022 ka raportuar se ish-kryetari i degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë, Faruk Mujka, është zgjedhur kryeshef në Ndërmarrjen Hidroekonomike “Ibër-Lepenc”.
Zgjedhja e tij është bërë në kundërshtim me Ligjin për ndërmarrjet publike, bazuar në interpretimin që kishte bërë Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik në rastin e kandidimit të Blerand Stavilecit për kryeshef të Korporatës Energjetike të Kosovës.
Faruk Mujka e ka drejtuar degën e Vetëvendosjes në Mitrovicë. Ai ka garuar në zgjedhjet lokale të vitit 2021 duke marrë 8,647 vota në garën për asamblist të Komunës së Mitrovicës Jugore. Mujka ka qenë edhe nënkryetar i Komunës së Mitrovicës Jugore deri në fund të vitit 2021.