Shefi i FBI-së ofron dorëheqjen para kthimit të Trumpit

Drejtori i Byrosë Federale të Hetimit (FBI), Christopher Wray, ka thënë se do të japë dorëheqje para se presidenti i zgjedhur, Donald Trump, i cili ka lënë të kuptohet se do ta shkarkojë, ta marrë detyrën në muajin e ardhshëm – ka raportuar BBC.

Wray ka bërë të ditur lajmin, në një takim të brendshëm të FBI-së, se ka ndarë mendjen të tërhiqet pasi e ka shqyrtuar këtë gjatë javëve të fundit.

Trumpi tashmë e ka nominuar Kash Patelin, i cili ka bërë thirrje për kufizim “dramatik” të autoritetit të FBI-së, për ta udhëhequr njërën prej agjencive kryesore të sundimit e zbatimit të ligjit.

Wray, të cilin Trumpi e kishte nominuar më 2017 për një mandat prej 10 vjetësh, është përballur me kritika gjatë ushtrimit të mandatit nga republikanët – për shkak të hetimeve të FBI-së, ndaj ish-Presidentit, pas mbarimit të mandatit.

Duke folur në një takim të FBI-së, Wray ka thënë: “Kam ndarë mendjen se gjëja më e duhur për Byronë është që, unë të shërbejë deri në fund të Administratës aktuale në Janar dhe, pastaj, të japë dorëheqje.”

“Sipas pikëpamjes time, kjo është mënyra më e mirë për ta shmangur tërheqjen e Byrosë më thellë në tensione – përderisa, është shumë e rëndësishme zbatimi i vlerave e parimeve gjatë kryerjes së punës tonë.” – ka shtuar ai.

Wray ka marrë një duartrokitje pas Deklaratave, me disa pjesëmarrës të audiencës që kanë qarë – ka bërë të ditur një zyrtar në kushte anonimiteti, për agjencinë e lajmeve – AP.

Trumpi e kishte emëruar Wrayn për t’i prirë FBI-së, pas shkarkimit të pararendësit James Corney, pas hetimeve të kontakteve të dyshuara ndërmjet fushatës së Trumpit dhe Rusisë, në Zgjedhjet e vitit 2016.

Kur e kishte emëruar, Trumpi kishte deklaruar se Wray – i diplomuar në Shkollën e Drejtësisë së Yalet – ishte njeri “me kredenciale të pakontestueshme”.

Por viteve të fundit, Wray nuk ishte më në mesin e njerëzve të preferuar të Presidentit të zgjedhur, pasi FBI-ja ndihmoi një hetim federal për mënyrën e menaxhimit të dokumenteve sekrete nga Trumpi – një rast që tashmë është mbyllur.

Trumpi ka thënë se dorëheqja e Wray është “Ditë e Madhe për Amerikën”.

 

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com