Foto: Zyra e Kryeministrit të Kosovës

Shefi i EULEX-it përfundon mandatin, Kurti thotë se sundimi i ligjit në Kosovë nuk ka qenë kurrë më i fortë

Kryeministri, Albin Kurti ngriti një dolli për nder të shefit të EULEX-it, Lars Gunnar Wigermark, dje në pritjen lamtumirëse për të, në fund të mandatit të tij.

“Mënyra më e përshtatshme që një qeveri mund të shprehë falënderimet e saj ndaj një organizate të huaj ndihmëse është t’ia dëshmojë asaj se nuk është më e nevojshme” – u shpreh Kurti.

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit, sipas kryeministrit, është bërë në pjesën më të madhe, më shumë e panevojshme se kurrë më parë.

Përjashtim bëri për pjesën veriore të Kosovës, për ku tha se EULEX-i është i nevojshëm, për shkak të mos vendosjes së sundimit të ligjit ende.

Sundimi i ligjit në Kosovë, sipas Kurtit nuk ka qenë kurrë më i fortë dhe shtoi se Kosova ka bërë përparim të dukshëm në këtë fushë, veçanërisht në dy vitet e fundit.

Kurti falënderoi gratë dhe burrat e guximshëm të EULEX-it për shërbimin e tyre, së bashku me Policinë e Kosovës dhe paqeruajtësit e KFOR-it, për të ndihmuar në ruajtjen e rendit dhe ligjit kundër, siç tha ai, milicisë së dhunshme dhe grupeve kriminale të nxitura dhe sponsorizuara nga Beogradi.

“Qëllimi përfundimtar i institucioneve të huaja të ndihmës nuk është të qëndrojnë përgjithmonë në vendet që ata ndihmojnë. Përkundrazi, është për t’i përgatitur ato vende që të qëndrojnë në këmbët e tyre” – tha kreu i ekzekutivit.

Kryeministri Kurti falënderoi ambasadorin Wigermark për gjithçka që ai ka bërë për Kosovën për tri vite e gjysmë dhe tha se shpreson që ai ta vizitojë Kosovën sa më shpejt dhe aq shpesh sa e lejojnë angazhimet  e tij të ardhshme.

“Në vitin 2008, kur EULEX-i me pushtetin e tij të gjerë ekzekutiv zbarkoi në Kosovë, nuk isha aq i lumtur. Sonte, 15 vjet më vonë, kur duhet t’i themi lamtumirën Larsit, përsëri nuk jam aq i lumtur. Mendoj se vetëm një tjetër nga ato momente kur pas një vendimi të Brukselit, gjithçka që mund të bëje ishte të porosisje një ose dy pije” – tha Kurti, para se të ngrinte dollinë për Wigermarkun.

Në këtë ceremoni ishin prezentë edhe Presidentja, Vjosa Osmani, Kryeparlamentari, Glauk Konjufca, ish-Presidentja, Atifete Jahjaga dhe deputetë e anëtarë të tjerë të qeverisë.